Please enter at least 3 characters.

Gjakova dhe Terre des hommes nënshkruajnë marrëveshje për shkolla më të sigurta për fëmijët

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Gjakovës ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me organizatën Terre des hommes Kosova, me synim forcimin e mbështetjes për fëmijët dhe avancimin e sistemit arsimor në këtë komunë.

Sipas njoftimit, marrëveshja parasheh bashkëpunim në disa fusha të rëndësishme, përfshirë mbështetjen e mirëqenies dhe mbrojtjes së fëmijëve në institucionet arsimore, si dhe forcimin e mekanizmave për parandalimin e dhunës, bullizmit dhe diskriminimit në shkolla.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi pritet të zhvillohen aktivitete edukative dhe vetëdijesuese për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, si dhe programe për ngritjen profesionale të stafit arsimor përmes trajnimeve të përbashkëta.

Marrëveshja synon gjithashtu promovimin e përfshirjes, barazisë dhe respektimit të të drejtave të fëmijëve, duke kontribuar në krijimin e një ambienti shkollor më të sigurt, gjithëpërfshirës dhe miqësor për çdo nxënës.

Komuna e Gjakovës ka vlerësuar se ky bashkëpunim paraqet një hap të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe në forcimin e partneriteteve me organizatat që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. /Telegrafi/