Gazmend Asllani emërohet Drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë
Gazmend Asllani ka marrë detyrën e Drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës së Jugut, duke u zotuar për punë të përkushtuar në zhvillimin e sektorëve kulturor, rinor dhe sportiv të qytetit.
Asllani ka falënderuar Kryetarin e Komunës, Faton Peci, për besimin e dhënë dhe ka deklaruar se prioritetet e tij do të jenë fuqizimi i të rinjve, mbështetja e sportistëve, krijimi i hapësirave të reja për aktivitete rinore dhe sportive, si dhe promovimi i kulturës dhe trashëgimisë lokale.
“Do të punoj me transparencë, bashkëpunim dhe përkushtim, duke dëgjuar idetë dhe nevojat e qytetarëve. Dyert e mia do të jenë të hapura për të rinj, artistë, sportistë, shoqëri civile dhe qytetarë të thjeshtë që duan të kontribuojnë,” ka thënë Asllani.
Ai ka theksuar se Mitrovica ka potencial të jashtëzakonshëm në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, dhe se me bashkëpunim dhe energji pozitive, qyteti mund të bëhet më dinamik, kreativ dhe më i hapur për mundësi të reja. /Telegrafi/


