Funksionarët maqedonas shpërndajnë “Enciklopedinë Maqedonase”
Agjencia INA ka mësuar se ministra, ambasadorë dhe funksionarë të lartë shtetëror maqedonas në takimet e tyre jashtë vendit kanë shpërndarë “Enciklopedinë Maqedonase”.
“Kemi informacione për një gjë të tillë dhe se kjo i ka ndodhur një funksionari shqiptar pjesë e një delegacioni, kur ministri maqedonas i ka shpërndarë homologut të tij të jashtëm një kopje të Enciklopedisë kontestuese”, theksoi për INA një zyrtar shqiptarë, duke tërhequr vërejtjen që kjo çështje të alarmohet.
“Enciklopedia Maqedonase” e hartuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM) dhe e mbështetur nga Qeveria u promovua në vitin 2009. Por, ajo nxiti shumë debate dhe u vlerësua fyese për shqiptarët, pasi në të ata ishin quajtur si njerëz të maleve dhe ardhacak. Gjithashtu fyerje kishte edhe ndaj amerikanëve dhe anglezëve pasi ishin akuzuar se kanë stërvitur UÇK-në, të cilën e kishin konsideruar si organizatë terroriste.
Në vit më vonë, pas shumë akuzave, debateve dhe tensioneve politike dhe ndëretnike, Qeveria vendosi që Enciklopedia të jetë e pavlefshme dhe iu rekomandua ASHAM që të formojë një ekip të ri për përpilimin e një enciklopedie të re. Por, lidhur me realizimin dhe fillimin e punimeve për këtë vepër të re shkencore akoma nuk është ndërmarrë asgjë, për shkak të mosmarrëveshjeve të sërishme midis akademikëve maqedonas dhe akademikëve dhe shkencëtarëve shqiptarë. /Telegrafi/


