Fjalët e Ademit dhe Muriqit pasi u dekoruan nga Presidentja Osmani
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar Kombëtaren e Kosovës në futboll me Medaljen Presidenciale të Meritave, në një ceremoni të mbajtur një ditë pas ndeshjes së “play-off”-it kundër Turqisë (0:1).
Në emër të komunitetit të futbollit, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për zhvillimin e futbollit në vend.
“Kjo është medalja më e çmuar, medalja e shtetit tonë, medalja e popullit tonë. Ne vërtetë nuk shkuam në Kupën Botërore, por fituam një medalje e shtetit tonë, zemrat e shtetit tonë, e cila është për neve shumë e rëndësishme sepse ne jemi të këtij shteti".
"Ne si federatë dhe si futbollistë jemi shumë të lumtur që kemi pasur një bashkëpunim kaq të mirë dhe kaq të afërt me presidenten tonë, e cila na ka ndihmuar gjithmonë, me dekretet për futbollistët dhe me prezencën e saj çdo herë, edhe kur kemi qenë mirë, edhe kur kemi qenë keq".
"Prandaj, gjithmonë mirënjohës si federatë, si futboll dhe në emër të gjithë komunitetit të futbollit që jemi mbi 57,700 persona, ju falënderoj shumë dhe ju dëshiroj sukses në rrugëtimin tuaj politik. Gjithashtu besoj që edhe në të ardhmen do të jemi bashkë. Sigurisht, një ditë do të vijë edhe momenti që ne të marrim një medalje të Kampionatit Evropian”, ka thënë Ademi.
Ndërkaq, në emër të Kombëtares së Kosovës, kapiteni Vedat Muriqi u shpreh krenar për përfaqësimin e vendit dhe optimist për të ardhmen e ekipit.
“Fillimisht ju falënderoj për mikpritjen dhe që na nderuat me këtë medalje. Ne e kemi ditë edhe para ndeshjes sa është dëshira e madhe për gjithë popullin dhe gjithë shqiptarët anembanë botës. Edhe të them të drejtën, nuk kemi besuar se do të humbim. As biletën kthyese nuk e kam. Ka qenë një goditje e madhe për neve, edhe pse mendoj se nuk e merituam humbjen. Kemi luftuar shumë dhe kemi bërë çmos që ta bëjmë ëndrrën realitet. Në emër të ekipit, ju falënderoj nga zemra juve si Presidente, shtetin e Kosovës, popullin tonë, mediat dhe federatën".
"Ne kemi treguar se nëse e vazhdojmë rrugëtimin bashkë, mund ta kalojmë çdo betejë. Kështu që, po shpresojmë në të ardhmen sepse kemi një gjeneratë shumë të mirë, një gjeneratë e artë po vjen, akoma nuk e kemi arritur gjeneratën e artë. Unë jam shumë krenar me veten që jam pjesë e stafit të Kosovës. Si kapiten i Kosovës, kisha pasur shumë dëshirë me e udhëheq ekipin në Amerikë, por ndonjëherë fati nuk të përcjell. Kështu që, ju falënderoj të gjithëve, në emër të ekipit, edhe shpresoj që takimin e radhës ta kemi për një kualifikim në Evropian ose Botëror”, tha Muriqi.
Dekorimi i Kombëtares vjen si vlerësim për arritjet dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe për rrugëtimin e suksesshëm deri në fazën finale të kualifikimeve për Kupën e Botës. /Telegrafi/


