Fillojnë punimet për ndërtimin e rrugës kryesore në Velekincë
Kanë nisur punimet për ndërtimin e njërës nga rrugët kryesore të fshatit Velekincë, e cila ishte prej kohësh në gjendje jo të mirë, duke krijuar vështirësi për qarkullimin e automjeteve dhe banorëve.
Kjo arterie, që lidh rrugën Gjilan-Preshevë me atë Gjilan-Kumanovë, do të rregullohet e tëra dhe do të zgjerohet, sipas njoftimit të komunës.
Në fillimin e punimeve morën pjesë drejtori për Shërbime Publike, Kushtrim Ibrahimi, dhe këshilltari i Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Fadil Ademi.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se ndërtimi i kësaj rruge është edhe një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të Velekincës.
“Sipas tij, punimet po realizohen në kuadër të kontratës verore për mirëmbajtjen e rrugëve”, bëri të ditur Hyseni, duke shtuar: “Do të vazhdojmë me përkushtim punët e mira për Gjilan dhe përmirësimin e infrastrukturës në çdo lagje e fshat”.
Ky projekt konsiderohet i rëndësishëm për përmirësimin e qarkullimit dhe lehtësimin e komunikimit ndërmjet zonave kryesore të fshatit Velekincë. /Telegrafi/


