Please enter at least 3 characters.

Ferizaj drejt shpërbërjes

2016/01/ferizaj-drejt-shp-euml-rb-euml-rjes_hd.jpg

Nuk mbahet mend kur klubi i futbollit Ferizaj gjendej në një krizë më të thellë se që është momentalisht. Futbollistët nuk kanë marrë rrogë qe tre muaj dhe si rrjedhojë, në tri javët e fundit janë duke i bojkotuar stërvitjet. Kjo ka bërë që ky ekip të pësojë humbje në katër xhirot e fundit, shkruan Gazeta Zëri.

Drejtori i klubit, Naim Sojeva, tregon se Ferizaj gjendet në pozitë mjaft të palakmueshme. Sipas tij, të gjithë në klub janë lodhur nga premtimet dhe se shpreson që shumë shpejt të gjendet një zgjidhje. Në të kundërtën, ai e paralajmëron më të keqen.

“Lojtarët nuk kanë marrë rroga qe tre muaj, jemi lodhur nga premtimet. Sot e kishim një takim me zyrtarë të drejtorisë komunale dhe na premtuan mbështetje, por nevojiten edhe konkretizime, sepse kemi marrë çdo muaj vetëm premtime”, deklaroi Sojeva për “Zërin”.

“Do të takohemi përsëri me drejtuesit e Drejtorisë për sport të mërkurën (sot), por nëse kemi mundësi, edhe me kryetarin e Komunës, për ta analizuar situatën aktuale dhe për t’i kristalizuar gjërat. Kështu më nuk shkon. Nëse na mbështesin, mund të vazhdojmë. Në të kundërtën, është mjaft e vështirë të vazhdohet në këto kushte”, vijoi ai.

Jep dorëheqje trajneri Murseli

Rexhep Murseli nuk është më trajner i Ferizajt. Ai ka dhënë dorëheqje, pasi vlerësoi se nuk kishte më kushte të punohej në këtë klub.

“Që tre muaj lojtarët nuk kanë marrë rroga dhe askush nuk na ka mbështetur. Qe tri javë, lojtarët i kanë bojkotuar stërvitjet dhe kemi luajtur vetëm sa për sy e faqe, dhe kjo është vërejtur edhe në fushë. Mirëpo, lojtarët s’kanë faj, pasi nuk kanë marrë rroga”, thotë Murseli për gazetën.

“Prandaj, kam qenë i detyruar të tërhiqem, edhe pse në fillim kishim motiv dhe shpresë se do të kalonim një pranverë të mirë”, shtoi ai.

Pasi të zgjidhet çështja e problemeve financiare, nëse veç ndodh, më pas kryesia do ta kërkojë pasardhësin e Murselit. Ferizaj gjendet në pozitën e parafundit në tabelë me 17 pikë të grumbulluara nga 21 ndeshje të zhvilluara.