Please enter at least 3 characters.

Ferdinand kthehet në kohë dhe e pranon: E urreja Gerrardin

Rio Ferdinand (47) ka pranuar se marrëdhënia e tij me Steven Gerrard (45) ishte shumë e keqe gjatë kohës kur të dy luanin për Kombëtaren e Anglisë – një periudhë që u quajt “brezi i artë”, por që, pavarësisht pritjeve të mëdha, mbeti pa asnjë trofe.

Mbrojtësi legjendar i Manchester United dhe kapiteni i Liverpoolit ishin figura kyçe të asaj gjenerate, por rivaliteti i madh mes dy klubeve raportohet se u transferua edhe te kombëtarja, duke ndikuar negativisht në atmosferë dhe në bashkëpunimin brenda ekipit.

Ferdinand luajti për Anglinë nga viti 1997 deri në 2011, ndërsa Gerrard nga 2000 deri në 2014. Edhe pse në atë ekip luanin emra si Wayne Rooney, David Beckham dhe Frank Lampard, Anglia nuk arriti të fitojë asnjë trofe, me dështime të mëdha si moskualifikimi në Euro 2008 dhe eliminimi në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2014.

“Unë dhe Gerrard nuk shkonim mirë”

Në një intervistë për The Times, Ferdinand pranoi hapur se kimia në ekip ishte problematike.

“Unë dhe Steven Gerrard nuk shkonim mirë. Kishte urrejtje mes nesh dhe mes klubeve tona, Manchester United dhe Liverpool".

"Por kjo është e gjitha pas nesh tani”, tha Ferdinand, i cili zhvilloi 81 paraqitje me Anglinë, ndërsa Gerrard përfundoi karrierën në kombëtare me 114 paraqitje.

Gerrard: Nuk ishim ekip, ishim egoistë

Gerrard foli më herët për të njëjtën temë, gjatë një paraqitjeje në kanalin e Ferdinand në YouTube, duke e përshkruar atmosferën si të ftohtë dhe të fragmentuar.

“Ne të gjithë ishim egoistë dhe e kishim të vështirë ta pranonim humbjen. Sot shoh në TV Jamie Carragher pranë Paul Scholes dhe duken sikur kanë qenë miqtë më të mirë për 20 vjet… Ndoshta jam më afër me ty sot sesa kam qenë ndonjëherë në 15 vitet kur kemi luajtur bashkë”, deklaroi Gerrard.

Ai u ndal edhe te pyetja pse ajo gjeneratë nuk u lidh kurrë si grup: “Pse nuk u afruam kur ishim 20, 21, 22 vjeç? A ishte ego? Rivalitet? Mendoj se ishte kultura brenda ekipit kombëtar… secili rrinte më vete. Ne nuk ishim ekip”.

Anglia sot: Ferdinand shikon shpresë te Kane, Rice, Bellingham dhe Saka

Ferdinand foli edhe për Anglinë e sotme dhe shanset në turnet e ardhshëm, duke theksuar se suksesi varet nga liderët në fushë.

“Nëse do ta fitojmë Kupën e Botës, Harry Kane duhet të luajë mirë. Declan Rice i lidh gjërat brenda dhe jashtë fushës. Jude Bellingham na jep shans sepse është lojtar për momentet e mëdha. Nëse Bukayo Saka është në formë, ai mund të na sjellë fitore”, u shpreh ai.

Sipas Ferdinand, përveç cilësisë, Anglisë do t’i duhet edhe fat, ndërsa kushtet e motit mund të jenë një nga pengesat kryesore për t’u kapërcyer. /Telegrafi/