Please enter at least 3 characters.

FBK i kërkon Sigal Prishtinës dhe Pejës t’i mbajnë Kuvendet Zgjedhore deri më 26 qershor

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) u ka kërkuar KB Sigal Prishtinës dhe KB Pejës që t’i mbajnë Kuvendet e rregullta Zgjedhore jo më vonë se 26 qershori 2026.

Në të njëjtën kohë, FBK ka kërkuar edhe nga të gjitha klubet anëtare që të organizojnë Kuvendet e Punës, në përputhje me kriteret e licencimit për edicionin 2026/2027, po ashtu deri më 26 qershor.

“Obligohet KB Sigal Prishtina dhe KB Peja që të organizojnë kuvendet e tyre të rregullta zgjedhore jo më vonë se data 26 qershor 2026… Obligohen të gjitha klubet anëtare të FBK-së që të organizojnë kuvendet e punës… jo më vonë se data 26 qershor 2026”, thuhet në dy pikat e vendimeve të Bordit të FBK-së.


Aktualisht, Sigal Prishtina udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së kryetarit, Rinor Grajqevci, i cili është i autorizuar nga Bekë Berisha, kryetari i zgjedhur i klubit.

Sipas sqarimit, autorizimi i Berishës ka fuqi juridike dhe mbetet në vlefshmëri deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Ndërkohë, edhe te Peja gjatë këtij viti janë kërkuar ndryshime. Tifozët kishin kërkuar largimin e Fatmir Gashit dhe disa zyrtarëve të klubit pas rezultateve negative, duke ngritur edhe shqetësime për mandatin e drejtuesve.

Kuvendi zgjedhor ishte paraparë të mbahej në janar, por ishte paralajmëruar se do të organizohej pas përfundimit të edicionit aktual. /Telegrafi/