Evropa është e bashkuar kur të integrohet edhe Ballkani!
“Roli ynë jetik është stabilizimi i kontinentit evropian. E kjo arrihet para së gjithash përmes procesit të zgjerimit”, ka thënë Rompuy, në Institutin Mbretëror të Londrës për Çështje Ndërkombëtare.
Ai ka pranuar se Bashkimi Evropian ka humbur një pjesë të ndikimit të saj në rendin ndërkombëtar ekonomik dhe politik, por kjo, sipas tij, nuk nënkupton domosdoshmërisht një gjë të keqe.
“Kur shikohet nga Bashkimi Evropian, shihen vende të mëdha dhe të vogla, por kur shikohet nga Pekini ose Washingtoni, shihen vetëm vende të vogla”, ka thënë Rompuy.
“Të gjithë në kontinentin evropian ndajnë sfidat e njëjta. Së bashku, kemi mjaft peshë dhe forcë për të kontribuar për një botë më të mirë dhe më prosperuese”, ka thënë presidenti i Bashkimit Evropian.
“Është përgjegjësi e të gjithëve të punojnë në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”.
Kroacia vitin tjetër bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, ndërkohë që këtë e synojnë edhe Bosnja Hercegovina, Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Serbia. /Telegrafi/


