Please enter at least 3 characters.

Eurojust reagon pas aksionit të SPAK: 12 të arrestuar nga dhe 1 milion euro të sekuestruara

Eurojust ka reaguar pas operacionit të përbashkët të zhvilluar nga SPAK dhe Drejtoria Anti-Mafia e Barit, ku u godit një grup i strukturuar kriminal i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe vrasje.

Sipas njoftimit zyrtar të Eurojust, operacioni i zhvilluar më 26 maj 2026 në Itali dhe Shqipëri ka rezultuar me arrestimin e 12 personave, ndërsa për tre të tjerë janë lëshuar urdhërarreste.

Hetimet lidhen me zbardhjen e vrasjes së 26-vjeçarit italian Francesco Diviesti, ngjarje e ndodhur në maj të vitit të kaluar, e cila sipas autoriteteve italiane ka qenë e lidhur me aktivitetet e trafikut të drogës dhe një rrjet kriminal që vepronte mes Italisë dhe Shqipërisë.

Autoritetet hetimore kanë zbuluar gjithashtu pastrim të rreth 1 milion eurove të përfituara nga aktivitetet kriminale, të cilat dyshohet se janë transferuar nga Italia drejt Shqipërisë përmes rrjeteve të organizuara.

Eurojust bëri të ditur se operacioni është rezultat i bashkëpunimit të gjatë ndërkombëtar dhe punës së një Ekipi të Përbashkët Hetimor (JIT), të ngritur mes autoriteteve italiane dhe shqiptare me mbështetjen e saj.

Në njoftim theksohet se ky është një nga disa operacione të përbashkëta të realizuara ndër vite mes SPAK-ut dhe Prokurorisë së Barit, të cilat kanë çuar në mbi 170 arrestime që nga viti 2018 deri në vitin 2026.

Eurojust vlerëson se bashkëpunimi i ngushtë mes autoriteteve të dy vendeve ka qenë vendimtar në goditjen e organizatave ndërkombëtare kriminale të përfshira në trafikun e drogës dhe krimin e organizuar në rajon.