Është krijuar mini-roboti që mund ta përgatisë dhëmbin për vendosjen e kurorës
Shkencëtarët po testojnë një teknologji të vogël, por shumë precize, që mund të ndryshojë mënyrën si bëhen ndërhyrjet stomatologjike
Një robot miniatural, i zhvilluar në Universitetin e Bazelit, mund të ndihmojë në përgatitjen e dhëmbëve për vendosjen e kurorave. Studiuesit kanë krijuar një robot të vogël stomatologjik, i cili një ditë mund t’i përgatisë automatikisht dhëmbët për kurora.
Kjo teknologji mund të ndihmojë në zvogëlimin e numrit të vizitave të nevojshme për trajtimin stomatologjik.
Mini-roboti përgatit terrenin për vendosjen e kurorës
Një kontroll rutinë te stomatologu mund të përfundojë me një lajm jo të mirë: kariesi ka krijuar një zgavër të madhe dhe dhëmbi ka nevojë për kurorë.
Trajtimi zakonisht kërkon disa vizita kontrolluese. Gjatë vizitës së parë, stomatologu largon kariesin, mbush zgavrën dhe përgatit dhëmbin për kurorë. Më pas merr masën dhe vendos një kurorë të përkohshme. Kurora e përhershme prodhohet në bazë të masës së marrë dhe mund të vendoset vetëm në një vizitë të mëvonshme.
Në të ardhmen, ky proces mund të bëhet shumë më i shpejtë falë një roboti të vogël stomatologjik, të zhvilluar nga studiuesit në Departamentin e Inxhinierisë Biomjekësore në Universitetin e Bazelit.
Prototipi është sa një tapë vere, me përmasa vetëm 43 x 26 x 28 milimetra. Motorët dhe sistemi i tij i kontrollit ndodhen jashtë robotit dhe lidhen me të përmes boshteve fleksibile lëvizëse, kabllove dhe tubave.
“Është dizajnuar të jetë mjaftueshëm i vogël që të vendoset rehat në gojën e hapur”, shpjegon Dr. Yukiko Tomooka, autorja e parë e punimit të publikuar në IEEE Transactions on Medical Robotics and Bionics, transmeton Telegrafi.
Më pak vizita te stomatologu
Prototipi, i quajtur “MIR” – shkurtim i “Miniature Intraoral Robot” – është dizajnuar për t’i përgatitur dhëmbët me saktësi, sipas një plani digjital.
Ideja është që, pas skanimit gjatë vizitës së parë, stomatologët të mund të planifikojnë saktësisht se si roboti duhet ta largojë materialin e dhëmbit dhe ta porosisin menjëherë kurorën, në vend që të presin një vizitë tjetër.
Skanimi përdoret jo vetëm për planifikimin e kurorës, por edhe për krijimin e një udhëzueseje të personalizuar dentare, në të cilën fiksohet mini-roboti stomatologjik.
“Edhe nëse pacienti e kthen kokën, MIR lëviz bashkë me të”, thekson Dr. Tomooka.
Robot stomatologjik jashtëzakonisht preciz
Studiuesit e testuan robotin stomatologjik në modele dhëmbësh të prodhuara nga rrëshira sintetike dhe në material qeramik me fortësi të ngjashme me atë të smaltit të dhëmbit.
Roboti e përgatit dhëmbin në dy hapa. Fillimisht përdor një frezë më të gjerë për ta zvogëluar sipërfaqen e dhëmbit, duke larguar materialin nga pjesa e sipërme. Në hapin e dytë, një frezë më e gjatë dhe më e hollë punon në anët e dhëmbit.
Ajo që bie në sy është saktësia me të cilën roboti stomatologjik punon tashmë, edhe pse ende nuk ka sensorë për matjen ose korrigjimin e drejtpërdrejtë të pozicionit të tij. Në testime, gabimi në pozicion ishte më i vogël se 0.2 milimetra, ndërsa pritet të zvogëlohet edhe më shumë pasi sensorët të integrohen në sistem.
Përveç saktësisë, studiuesit po matin edhe forcat që krijohen gjatë frezimit. Në testime, ato mbetën nën 5 njutonë, që është përafërsisht e barabartë me forcën gravitacionale të një shisheje uji prej gjysmë litri.
Ekipi po e hulumton gjithashtu edhe zhurmën që prodhon sistemi, për të vlerësuar më mirë përshtatshmërinë e tij për përdorim në praktikën stomatologjike.
Si hap të ardhshëm, studiuesit planifikojnë të integrojnë sensorë dhe kamerë në robot, në mënyrë që sistemi të mund ta ndjekë pozicionin e vet dhe ecurinë e trajtimit.
“Edhe pas ndërprerjes së energjisë elektrike, MIR do ta dinte ku ndodhet dhe ku duhet të vazhdojë, bazuar në të dhënat e sensorëve”, shpjegon udhëheqësi i grupit hulumtues, profesori Georg Rauter.
Sipas tij, qëllimi është që kjo të arrihet pa e rritur madhësinë e mini-robotit. /Telegrafi/


