Erdhi me shumë bujë, por dështoi keq: Deco shpjegon arsyet pse nuk kishte sukses Vitor Roque te Barcelona
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco ka shpjeguar arsyet pse transferimi i Vitor Roque te klubi katalunas nuk rezultoi i suksesshëm.
Sipas tij, nga aspekti i cilësisë nuk është bërë ndonjë gabim, pasi ideja e klubit ishte të siguronte një pasardhës afatgjatë për Robert Lewandowskin.
Megjithatë, rrethanat e transferimit ndikuan negativisht në përshtatjen e sulmuesit brazilian.
“Nga pikëpamja e cilësisë, nuk mendoj se kemi bërë një gabim. Plani ynë ishte të nënshkruanim me një pasardhës të ardhshëm të Robert Lewandowskit. Vitor Roque ishte zgjedhja perfekte, por u detyruam ta sillnim në janar, shumë më herët sesa ishte planifikuar fillimisht”.
“Ai u transferua në një vend të ri dhe iu bashkua një klubi të madh, duke u përballur me presion të madh, ndërsa nuk mori minuta të mjaftueshme loje për t’u përshtatur siç duhet”.
Deco foli edhe për huazimin e lojtarit te Real Betis, duke pranuar se as ajo aventurë nuk shkoi sipas pritshmërive. Më pas, Barcelona mori një ofertë konkrete nga Palmeiras për blerjen e kartonit të tij, çka e shtyu klubin të merrte një vendim përfundimtar.
“Huazimi i tij te Betis nuk shkoi ashtu siç shpresonim dhe më pas morëm një ofertë nga Palmeiras për ta blerë. Vendosëm se kjo ishte zgjidhja më e mirë për të gjithë”.
“Nuk e humbëm investimin për të ardhmen, përkundrazi e rikuperuam vlerën e tij. Shikoni Endrickun – edhe ai po kalon vështirësi. Kjo është diçka normale për lojtarët e rinj në një klub të madh evropian”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Roque së shpejti pritet të rikthehet në Evropë, ku disa klube italiane dhe angleze kanë shprehur interesim./Telegrafi


