Dy sulme me eksploziv
Në momentin e shpërthimit makina e parë, ishte e parkuar poshtë një pallati, banorët e të cilit janë tronditur duke lajmëruar menjëherë policinë. Sipas banorëve të zonës, makina është në pronësi të 42-vjeçares, Mimoza Isufi, e cila punon si rrobaqepëse në këtë lagje në një ambient që e ka në pronësi të saj. Ajo jeton në këtë lagje prej vitesh vetëm me dy fëmijët, pasi bashkëshorti i ka vdekur para disa kohësh në një aksident rrugor.
Sipas hetimeve të para, makinës i është vendosur një sasi eksplozivi. Sipas policisë, mendohet se autorët kanë ngatërruar objektivin, duke vendosur gabimisht lëndën plasëse në makinën e 42-vjeçares. Shpërthimi nuk ka qenë i telekomanduar, por sasia e dinamitit me një fitil ndezës është hedhur mbi automjetin e parkuar. Ekspertë të policisë po punojnë për të zbardhur shkaqet dhe autorët e shpërthimit.
Rreth orës 22:00 një tjetër automjet ka shpërthyer si pasojë e hedhjes së një kapsolle minierash. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Partizani" në Burrel, ndërsa mësohet se mjeti që ka shpërthyer është në pronësi të punonjësit të SHISH-it, Lumturi Sula. Në momentin e shpërthimit makina ka qenë e parkuar në anë të rrugës.
Fatmirësisht nuk ka patur të lënduar, ndërsa shpërthimi shkaktoi panik tek banorët e zonës. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. /Telegrafi/


