Please enter at least 3 characters.

Dy gratë e Shaipit dhe Hasimi

Kur u martua Shaipi, komshiu përballë tij, Hasimi, në mëngjesin e së nesërmes, pra, “ditën e grave”, i kishte kumtuar lajmin se ia kishte gjetur një nuse. Sigurisht se Shaipi u çudit dhe i çuditur nga kjo ofertë jo e zakontë, pa kaluar 24 orë qëkur ishte martuar, s’ia kishte bërë të madhe fort. “O qenka çmendur, o s’i paska dalë ende pija nga dasma e mbrëmshme të ngratit. Si martohet njeriu për së dyti, kur sapo u martua?!”, kishte menduar ai. Por ja që Hasimi, as ishte i çmendur, as i dehur. “Ky vend nuk e do pa dy (gra)”, ishte përgjigjur ai, befasisht.

I nderuari lexues, nuk është rendi të rrëfej këtu këso gjërash që kanë ndodhur para 23 vjetëve, por ja që pa dashjen tonë shumë gjëra në Kosovë kanë shkuar dhe po shkojnë sipas propozimit të fqinjit tim, metaforistit/temsilaxhiut, Hasimit, pra me nga dy. Dualitetet, dykuptimësitë, apo“dy-tat” e tilla (si “dy gratë e Shaipit”) po na përcjellin me dekada të tëra, bile edhe sot kur jemi bërë shtet i pavarur.

Dy kuptimësitë fillojnë nga liderët tanë politikë, pozitë e opozitë, kalojnë tek pushteti, policia, gjykatat, e deri te dokumentet me rëndësi siç janë rezolutat. Shumë fjalëve të politikanëve tanë s’ka mbetur më t’u besohet në kuptimin e parë, por çfarë në të vërtetë thonë ata në “temsilin” e tyre. Andaj, sa herë që flasin ata, lirisht fjalët e tyre duhet t’i marrin në kuptim të dytë. Për shembull, kur politikanët tanë thonë se do të na njohin 35 shtete, mjafton të besojmë se do të na njeh vetëm një. Ose, kur thonë se korrupsionit, krimit të organizuar, prostitucionit..., nuk do t’i lënë vend, lirisht mund të mendojmë kuptimin e dytë të fjalës, se nuk e kanë ndër mend t’i luftojnë ato.

Me “dy-shin” e famshëm të Hasimit, po na përcjellin edhe shumë forma organizative shtetërore si për shembull, pushteti, policia, gjyqësia. Dy pushtete sot e shumë vjet më parë i kemi evidente në Kosovë, pastaj kemi dy polici e dy gjyqësi, e secila prej tyre punon kokë më vete. Por ky “dysh” nuk përfundon më kaq. Paralelet dhe “dy-tat” na kanë përcjellur me dekada. Edhe gjatë luftës kishim dy ushtri (UÇK, FARK), menjëherë pas saj u vendosën dy pushtete (ai i UNMIK-ut dhe i Kosovës). Dy pushtete i kemi edhe sot ( të EULEX-it dhe të Kosovës).

Dy-tësia vazhdon pastaj edhe te sindikatat e punëtorëve, pensionistëve, arsimit, e kështu me radhë, për të dalë deri te dokumentet me rëndësi. Edhe Kushtetuta e shtetit tonë interpretohet në dy mënyra. Për shembull në pjesën më të madhe të Kosovës e ka një kuptim, e në veriun e Kosovës një kuptim tjetër. S’përjashtohet rasti kur për një ditë Kushtetuta merr dy kuptime të ndryshme. Po ashtu, sa herë që bëhet edhe ndonjë rezolutë për Kosovën, rasti më i ri është edhe mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, interpretohet ne dy mënyra. Kjo s’do koment, e pamë të gjithë, liderët tanë e cilësuan si moment historik rezolutën e Serbisë në OKB, por në të njëjtën kohë edhe liderët serbë në Beograd u krenuan se nuk u dha Kosova. Interesant a.

E, nëse kthehemi në retrospektivë edhe rezoluta 1244 e KS-së interpretohet gjithmonë në dy mënyra, varet se si dhe kush e interpreton. Ne këmbëngulim se me këtë rezolutë Serbia e ka humbur sovranitetin në Kosovë, e Serbia këmbëngul se pikërisht kjo rezolutë e mban gjallë dëshirën e saj për Kosovën. Ajo çka është më interesante, ky dualitet nuk përfundon me kaq, por vazhdon nëpër shumë segmente. Bile edhe pavarësia e Kosovës interpretohet në dy mënyra. Herë jemi shtet, e herë s’jemi shtet. Herë kemi institucione të Republikës, herë kemi institucione të Përkohshme (IPVQ). Ndaj, për fund duhet ta pranoj, të paktën unë. Tybe n’ka pasë faj Hasimi. Përnjëmend ky vend se don pa “dy”?!