Please enter at least 3 characters.

Doni Arifi, mesfushori kosovar që po lë gjurmë në Finlandë me KuPS: Dua titullin e kampionit, mezi pres përballjen me Dritën

Doni Arifi po konsiderohet sot si një nga mesfushorët qendrorë më të mirë në Superligën e Finlandës

Reprezentuesi i Finlandës U21 është 23 vjeç dhe këtë vit ka zhvilluar 36 ndeshje me KuPS-in, duke qenë shtyllë e mesfushës së skuadrës dhe një nga lojtarët më të vlerësuar të kampionatit.

Mitrovicasi ka shfaqur formë të shkëlqyer më parë te Ilves e tani te KuPS, ku dallohet për organizim të lojës, por edhe për ndërprerjen e aksioneve të kundërshtarëve si mesfushorë defensivë.

Pas pesë viteve me Ilves, Doni vendosi të bashkohej me skuadrën KuPS, edhe pse kishte oferta të tjera.


Në një intervistë për Telegrafin, Arifi thotë se e mendoi gjatë këtë hap dhe se erdhi në përfundim se ishte vendimi më i mençur për karrierën e tij. Sipas tij, KuPS është një ekip i madh në Finlandë që çdo vit lufton për titull dhe merr pjesë në Evropë, prandaj e pa si mundësinë e duhur për ta treguar veten.

“Kam menduar gjatë dhe kam marrë një vendim të mençur për të ecur përpara si lojtar dhe për karrierën time. KuPS është një ekip i madh në Finlandë, që çdo vit lufton për titullin kampion dhe merr pjesë në Evropë. E dija se këtu do të kisha shansin për ta treguar veten”, tha fillimisht Arifi për Telegrafin.

Aktualisht ai po kalon nëpër një formë të shkëlqyer dhe vlerësohet si një nga mesfushorët defensivë më të mirë në Finlandë. Doni është i kënaqur me ecurinë, por pranon se pjesa më e rëndësishme e sezonit është ende përpara.

“Për momentin jam shumë i kënaqur, por e di që duhet ende shumë punë. Pjesa më e mirë e sezonit dhe ndeshjet më të forta vetëm sa janë duke ardhur, prandaj pres shumë nga vetja dhe nga ekipi im".

KuPS kohët e fundit humbi finalen e Kupës, por është ende në garë për titullin kampion. Lojtari është optimist se skuadra e tij mund ta arrijë këtë objektiv.

“Jemi në garë disa skuadra, por kam besim të madh që do t’ia dalim. Kemi një skuadër shumë të mirë dhe përkundër që gara është e fortë, besoj se do t’ia dalim të shpallemi kampion”, vazhdon mesfushori kosovar.

Në Evropë, KuPS do të jetë pjesë e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës, ku ndeshjen e parë do ta ketë kundër Dritës nga Kosova. Për Donin kjo përballje ka një emocion të veçantë.

“Me padurim e pres përballjen me Dritën. Jam gëzuar shumë kur e pashë shortin se do të luajmë ndaj një skuadre prej nga vij unë, nga Kosova".

Edhe pse nuk e përcjell shpesh futbollin kosovar, ai gjithmonë mundohet t’i ndjekë skuadrat kosovare në Evropë. Sipas tij, dallimi kryesor mes futbollit finlandez dhe atij kosovar qëndron te kushtet dhe aspekti taktik.

“Nuk më premton koha që ta përcjelli shpesh kampionatin kosovar, por në përgjithësi kur skuadrat e Kosovës luajnë në Evropë mundohem t’i shikoj gjithmonë. Nuk mendoj që si talente individuale lojtarët apo ekipet ndryshojnë shumë, edhe Kosova ka shumë talente. Por dallimi kryesor është tek kushtet, trajnerët dhe puna taktike, ku ekipet finlandeze janë përpara”, thotë mesfushori mitrovicas për Telegrafin.

Përveç Dritës, KuPS do të përballet edhe me Breidalbik, Slovan Bratislava, Jagiellonia, Lausanne dhe Crystal Palace. Doni beson se skuadra e tij ka potencial për ta kaluar grupin.

“Besoj që në grup ka ndeshje shumë të forta, por kemi edhe shanse reale për ta kaluar grupin. Sigurisht që për ne futbollistët është kënaqësi kur kemi kundërshtarë të fortë”.

Arifi ka luajtur me të gjitha grupmoshat e Finlandës, por ka edhe dy ndeshje me Kombëtaren e Kosovës U21.

I pyetur për të ardhmen e tij me Kombëtaren, mesfushori thotë se pret ftesën e parë dhe do të zgjedhë mes Kosovës dhe Finlandës, varësisht nga plani që i ofrohet.

“Për momentin jam i fokusuar dhe po punoj shumë që të bëj ndeshje të mira si në ligë ashtu edhe në Evropë. Shpresoj të më vijë ftesa nga Kombëtarja, dhe kam vendosur që për ekipin A do të zgjedh atë që më kontakton e para dhe që ka planin më të mirë për mua. Si Kombëtarja e Kosovës ashtue dhe ajo e Finlandës i kanë dyert e hapura dhe kush më thërret përpara aty do të jem".

Kontrata e tij me klubin finlandez skadon në fund të këtij viti dhe Doni tashmë mendon për një hap më të madh në karrierë.

“Synimin e kam që të kaloj në një ligë edhe më të fortë. Besoj se jam gati për atë hap, edhe pse nuk e di saktësisht ku. Shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm pa lëndime dhe në vitin e ardhshëm do të jem në një skuadër tjetër, besoj jashtë Finlandës”, përfundoi mesfushori dardan.

Arifi është një nga futbollistët më të vlefshëm në Finlandë, derisa e ardhmja e tij duket e ndritur. /Telegrafi/

true