Please enter at least 3 characters.

Dogana e Kosovës parandalon tentativën për kontrabandim të mallrave të padeklaruara në Vërmicë

Dogana e Kosovës ka parandaluar një tentativë për kontrabandim të mallrave të padeklaruara në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, gjatë kontrolleve rutinore të automjeteve në hyrje të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, një zyrtar doganor ka përzgjedhur për kontroll të detajuar një automjet me targa të huaja.

Gjatë kontrollit fizik të bagazhit është konstatuar se automjeti transportonte mallra të padeklaruara pranë autoriteteve doganore.

"Sipas vlerësimit paraprak të Sektorit të Vlerësimit Doganor, vlera e mallit të padeklaruar është rreth 8 mijë euro", thuhet në njoftim.

Dogana vlerësoi se falë vigjilencës së zyrtarëve është parandaluar futja e paligjshme e mallrave në territorin doganor të Kosovës.

"Veprime të tilla cenojnë konkurrencën e ndershme, dëmtojnë ekonominë vendore dhe shmangin detyrimet fiskale të përcaktuara me legjislacionin në fuqi", theksohet në njoftim.

Sipas Doganës, shtetasi i huaj nuk e kishte deklaruar mallin gjatë hyrjes në territorin doganor të Republikës së Kosovës, ndaj tij është iniciuar procedurë kundërvajtëse në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave, për mosdeklarimin e mallrave.

Dogana e Kosovës rikujtoi se çdo mall që hyn ose del nga territori doganor i Republikës së Kosovës duhet të deklarohet pranë autoriteteve kompetente, duke theksuar se mosrespektimi i këtij detyrimi ligjor mund të sjellë pasoja administrative, kundërvajtëse ose penale.

"Dogana e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë me vendosmëri legjislacionin doganor, duke ndërmarrë masa efektive kundër kontrabandës dhe çdo forme të shmangies së detyrimeve doganore, me qëllim mbrojtjen e ekonomisë së vendit dhe sigurimin e një tregtie të drejtë dhe transparente", përfundon njoftimi. /Telegrafi/