Please enter at least 3 characters.

Djegia e bunkerit të UÇK-së në Jezercë të Ferizajt, nxit reagimin e qytetarëve dhe institucioneve

Persona ende të pa identifikuar ia kanë vënë zjarrin bunkerit të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Jezerc të Ferizajt. Lidhur me rastin gjatë së premtes ka pasur reagime të qytetarëve nëpër rrjete sociale, por edhe nga Komuna e Ferizajt.

Po ashtu lidhur me këtë rast janë aktivizuar edhe Policia e Kosovës në Ferizaj.

Në reagimin e Komunës së Ferizajt, thuhet se bunkeri ishte i vendosur në pikën e 6 në kuadër të Parkut Memorial të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jezerc.

“Bunkeri i vendosur në këtë pikë është dëmtuar e djegur nga individ deri më tani të paidentifikuar. Komuna e Ferizajt, shpreh shqetësimin e thellë dhe dënon këtë akt të shëmtuar dhe njëkohësisht i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës në Ferizaj që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur këtë rast dhe kryesit e kësaj vepre të vihen para drejtësisë”, thuhet në reagim.

Sipas Komunës, Parku Memorial i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jezerc, përveç projekt unik në gjithë vendin - investuar nga Komuna e Ferizajt, paraqet edhe vlerë të jashtëzakonshme historike, kujtesë për brezat, luftën tonë të lavdishme çlirimtare.

“Komuna do të ndërmarr të gjitha veprimet që pas procedurave të organeve të sigurisë ta rikthej pamjen që kishte, vlerat që përfaqëson ky vend, pika 6 e Parkut Memorial të UÇK-së në Jezerc”, thuhet më tej në reagim.

Telegrafi është në pritje të një përgjigjje zyrtare edhe nga Policia e Kosovës në Ferizaj, për të kuptuar zhvillimet më të reja lidhur me këtë çështje./Telegrafi/