Dhunuan një 12 vjeçare, dy të mitura nga Shkupi u morën në pyetje nga policia në prani të prindërve të tyre
Dy të mitura, në prani të prindërve të tyre, janë marrë në pyetje në stacion policor lidhur me rastin e dhunës ndaj një vajze 12-vjeçare në një park në komunën e Aerodromit në Shkup. Ministria e Punëve të Brendshme njofton se pas zbardhjes së plotë të rastit do të ngrihen kallëzime penale kundër personave të përfshirë.
Sipas MPB-së, më 1 korrik 2026, rreth orës 19:30, një grua 31-vjeçare ka raportuar në SPB Shkup se vajza e saj 12-vjeçare ishte sulmuar fizikisht më 30 qershor, rreth orës 22:00, në një park në Aerodrom.
Në njoftimin e MPB-së thuhet:
“Vajza 12-vjeçare fillimisht ishte detyruar në dy raste nga një e mitur 14-vjeçare, e cila ishte së bashku me shoqen e saj, të gjunjëzohej dhe të kërkonte falje. Më pas, pasi ishte larguar nga vendi, ajo ishte sulmuar fizikisht nga një tjetër e mitur. I gjithë incidenti ishte incizuar me telefon celular nga disa të mitur që ndodheshin në vendngjarje, ndërsa viktima e njihte njërin prej tyre. Po atë ditë, në stacionin policor është zhvilluar bisedë zyrtare me dy të mitura në prani të prindërve të tyre.”
MPB bën të ditur se për rastin është njoftuar prokurori publik për të mitur, si dhe Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale.
“Po ndërmerren aktivitete për identifikimin e të miturve të tjerë të përfshirë dhe për zbardhjen e plotë të rastit, pas së cilës do të paraqiten kallëzime penale për veprat ‘Dhunë’, sipas nenit 386, dhe ‘Neglizhimi dhe keqtrajtimi i të miturit’, sipas nenit 201 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e MPB-së.


