Dhjetë vjedhje dhe katër raste të dhunës në familje në rajonin e Ferizajt brenda një jave
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se gjatë periudhës 10–16 gusht 2026 janë raportuar gjithsej 10 raste të vjedhjeve dhe katër raste të dhunës në familje në rajonin e Ferizajt.
Sipas raportit javor të Policisë, të gjitha 10 rastet e vjedhjeve janë raportuar në territorin e Komunës së Ferizajt.
Ndërkaq, nga katër rastet e dhunës në familje të raportuara gjatë kësaj periudhe, tri kanë ndodhur në Ferizaj dhe një në Shtime.
Gjatë së njëjtës periudhë, Policia ka realizuar edhe urdhëresa të gjykatave, me ç’rast janë arrestuar 21 persona të kërkuar për vepra të ndryshme penale dhe kundërvajtëse.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë thirrje për bashkëpunim me qytetarët, duke i ftuar ata që të raportojnë rastet kriminale.
Rastet mund të raportohen drejtpërdrejt në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” ose në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.
Policia ka theksuar se konfidencialiteti i të dhënave të personave që raportojnë ruhet plotësisht. /Telegrafi/


