Dhimbja e qafës gjatë punës në zyrë - pse ndodh dhe si mund të parandalohet?
Rilind Shala, PT, MSc, PhD (Cand), Fizioterapeut
Dhimbja e qafës nuk lidhet vetëm me posturën, por edhe me mungesën e lëvizjes, stresin dhe forcën muskulore; ndaj parandalimi kërkon ushtrime, pushime të rregullta dhe ambient pune të përshtatur
Rilind Shala, PT, MSc, PhD (Cand)
Fizioterapeut
Dhimbja e qafës përbën një nga ankesat muskuloskeletore më të shpeshta tek personat që punojnë në ambiente zyre. Zhvillimi i teknologjisë dhe dixhitalizimi i pothuajse çdo profesioni kanë bërë që një pjesë e madhe e ditës të kalohet përpara kompjuterit, shpesh në të njëjtin pozicion për orë të tëra. Si rezultat, dhimbja e qafës është shndërruar në një problem me të cilin përballen jo vetëm punonjësit administrativë, por edhe studentët, programuesit, dizajnerët grafikë, punonjësit financiarë dhe shumë profesionistë të tjerë.
Pavarësisht se shpesh konsiderohet si një shqetësim i vogël, ndikimi i saj nuk duhet nënvlerësuar. Dhimbja e qafës mund të ulë përqendrimin, të kufizojë produktivitetin në punë, të ndikojë në cilësinë e gjumit dhe, në disa raste, të bëhet një problem i përsëritur që ndikon në cilësinë e jetës.
Një nga keqkuptimet më të zakonshme është bindja se ekziston një posturë "e gabuar" që shkakton dhimbjen dhe një posturë "e përkryer" që e parandalon atë. Megjithatë, literatura shkencore e viteve të fundit paraqet një pamje shumë më komplekse. Edhe pse pozicioni i trupit ka rëndësinë e tij, nuk është faktori i vetëm dhe, në shumë raste, as më vendimtari. Dhimbja e qafës është rezultat i ndërveprimit të faktorëve biomekanikë, fiziologjikë, psikologjikë dhe socialë, të cilët ndryshojnë nga një individ tek tjetri.
Nga pikëpamja biomekanike, problemi lidhet kryesisht me ekspozimin e zgjatur ndaj ngarkesave statike. Kur qëndrojmë për periudha të gjata përpara ekranit, muskujt e qafës dhe të brezit të shpatullave duhet të ruajnë vazhdimisht pozicionin e kokës. Edhe pse forca e nevojshme për këtë është relativisht e vogël, kontraktimi i vazhdueshëm redukton periudhat e relaksimit të muskujve dhe krijon lodhje progresive. Me kalimin e kohës, kjo mund të shoqërohet me ndjesi tensioni, ngurtësi dhe dhimbje, veçanërisht në fund të ditës së punës.
Në këtë kontekst diskutohet shpesh edhe fenomeni i pozicionimit të kokës përpara. Zhvendosja e kokës përtej boshtit të trungut rrit kërkesat biomekanike mbi muskujt dhe strukturat pasive të qafës. Megjithatë, duhet theksuar se ky pozicion nuk shoqërohet domosdoshmërisht me dhimbje tek çdo individ. Shumë persona e mbajnë këtë pozicion për vite me radhë pa zhvilluar simptoma, ndërsa të tjerë mund të përjetojnë dhimbje edhe në mungesë të ndryshimeve të dukshme posturale. Kjo tregon se marrëdhënia midis posturës dhe dhimbjes është shumë më komplekse sesa mendohej më parë.
Një tjetër element me rëndësi është mungesa e variacionit në lëvizje. Trupi i njeriut nuk është projektuar për të qëndruar në një pozicion të pandryshuar për periudha të gjata kohore. Në fakt, edhe postura më ergonomike humbet avantazhin e saj kur mbahet pa ndërprerje për disa orë. Për këtë arsye, qasja moderne ndaj ergonomisë nuk synon gjetjen e një pozicioni ideal, por krijimin e mundësive që pozicionet të ndryshohen rregullisht gjatë ditës.
Lëvizjet e shkurtra, ngritja nga karrigia për disa minuta, ecja në zyrë ose ndryshimi i aktivitetit për periudha të shkurtra janë ndër strategjitë më të thjeshta dhe më efektive për të reduktuar ngarkesën kumulative mbi muskujt dhe nyjat e qafës. Pikërisht këto ndërprerje të vogla rikthejnë qarkullimin normal të gjakut në muskuj dhe u japin atyre mundësinë të relaksohen përpara se lodhja të grumbullohet.
Në vitet e fundit është kuptuar gjithashtu se dhimbja e qafës nuk mund të shpjegohet vetëm nga faktorët mekanikë. Nivelet e larta të stresit, presioni në punë, lodhja mendore, cilësia e dobët e gjumit dhe mungesa e aktivitetit fizik ndikojnë në mënyrën se si sistemi nervor përpunon dhe percepton dhimbjen. Për këtë arsye, dy persona me të njëjtin ambient pune dhe të njëjtën ngarkesë fizike mund të kenë përvoja krejtësisht të ndryshme.
Rëndësi të veçantë ka edhe gjendja fizike e individit. Muskujt me forcë dhe qëndrueshmëri më të mirë janë më të aftë të përballojnë ngarkesat e përsëritura që karakterizojnë punën sedentare. Kjo është arsyeja pse programet e ushtrimeve nuk synojnë vetëm lehtësimin e simptomave, por edhe rritjen e kapacitetit të sistemit muskuloskeletor për t'u përshtatur me kërkesat e përditshme.
Studimet kanë treguar se ushtrimet e forcës për muskujt e qafës, shpatullave dhe pjesës së sipërme të shpinës, të kombinuara me aktivitet fizik të rregullt, janë ndër ndërhyrjet me mbështetjen më të fortë shkencore për reduktimin e dhimbjes dhe përmirësimin e funksionit. Në të njëjtën kohë, edukimi i individëve mbi natyrën e dhimbjes dhe rëndësinë e vazhdimit të aktivitetit fizik ka treguar rezultate po aq të rëndësishme në parandalimin e episodeve të përsëritura.
Kjo nuk nënkupton se ergonomia nuk ka rëndësi. Përkundrazi, një ambient pune i organizuar mirë mund të reduktojë ngarkesën e panevojshme mbi sistemin muskuloskeletor. Vendosja e ekranit në nivelin e syve, përdorimi i një karrigeje që mbështet rajonin lumbal, pozicionimi i tastierës dhe mausit në një distancë të përshtatshme dhe mbështetja e parakrahëve gjatë punës janë masa që mund të kontribuojnë në një shpërndarje më të mirë të ngarkesës. Megjithatë, edhe organizimi më i mirë ergonomik nuk mund të kompensojë mungesën e lëvizjes për shumë orë rresht.
Në shumicën e rasteve, dhimbja e qafës ka një prognozë të mirë dhe përmirësohet me kombinimin e aktivitetit fizik, ushtrimeve të përshtatura, edukimit dhe menaxhimit të faktorëve të përditshëm që kontribuojnë në zhvillimin e saj. Megjithatë, prania e simptomave neurologjike, si mpirja e vazhdueshme, dobësia muskulore, humbja e koordinimit ose dhimbja e fortë që nuk përmirësohet me kalimin e kohës, kërkon vlerësim klinik për të përjashtuar patologji më serioze.
Në përfundim, dhimbja e qafës gjatë punës në zyrë nuk duhet parë si një pasojë e pashmangshme e profesionit apo si rezultat i një posturë të vetme "të gabuar". Ajo përfaqëson një fenomen kompleks, ku ndërthuren ngarkesa mekanike, mungesa e lëvizjes, kapaciteti fizik individual dhe faktorë të tjerë biologjikë e psikologjikë. Pikërisht për këtë arsye, strategjitë më efektive nuk bazohen në kërkimin e një pozicioni perfekt, por në promovimin e lëvizjes, aktivitetit fizik të rregullt dhe një organizimi racional të ambientit të punës. Kjo qasje është në përputhje me njohuritë më të fundit shkencore dhe përfaqëson mënyrën më të mirë për të reduktuar barrën që dhimbja e qafës vazhdon të ketë tek popullata aktive. /Telegrafi/


