Please enter at least 3 characters.

Derbi shqiptar që sonte i thyen kufijtë

2016/01/derbi-kosovar-sonte-thyen-kufijt-euml_hd.jpg

Sonte, me fillim nga ora 17:30, në palestrën e rinovuar të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë do të zhvillohet derbi më i flaktë në Kosovë mes Sigal Prishtinës dhe Pejës, mirëpo ky derbi është me rëndësi të veçantë pasi është hera e parë që këto dy skuadra përballen në kuadër të Ligës Ballkanike.

Sigal Prishtina e ka mposhtur deri tani dy herë me radhë Pejën në këtë edicion dhe sonte e ka mundësinë që të realizojë një het-trik të fitoreve, teksa Peja medoemos kërkon një hakmarrje për këto dy humbje në mënyrë që t’ua kthejë shpresën tifozëve të saj.

Të dyja skuadrat janë përgatitur maksimalisht për këtë sfidë dhe te dyja për qëllim kanë vetëm fitoren. Sigal Prishtina me një fitore të mundshme do të radhitej e para në Ligën Ballkanike, teksa Peja në rast të fitores do ta thyente akullin sepse deri më tani i ka tre humbje radhazi. Për më shumë, Pejës në këtë ndeshje do t’i mungojnë edhe dy lojtarë kyç, Mirza Ahmetbasic dhe Vedran Morovic, të cilët u larguan ditë më parë.

Redaksia jonë ka kontaktuar me dy ndër lojtarët më të mirë të të dyja skuadrave dhe në vazhdim mund të lexoni se çfarë kanë thënë ata për derbin e sotëm.

“Ne vetëm duhet të dalim në palestër të fokusuar dhe me shumë energji. E dimë se kjo është ndeshje shumë e madhe për ne, sepse mund të na vendosë në vendin e parë. Tifozët mund të ndikojnë shumë në këtë ndeshje. Nëse ne jemi efikas në sulm dhe luajmë fort në mbrojtje, besoj se do t’ia dalim”, u shpreh Kendrick Jones për Telegrafin.

I pyetur se kë e sheh si rrezikun më të madh nga pejanët, ai shtoi: “Ata kanë skuadër të mirë dhe sonte do të japin gjithçka për të na mposhtur. Samiri i fut ata në lëvizje duke i vendosur të gjithë në pozitat e duhura, ndërsa House është shënues dhe mbrojtës i mirë, ai definitivisht ka ndikim të madh në lojë”, përfundoi Jones.

Në anën tjetër, lojtari më me përvoje te Peja, Frederick House, tha se mezi po e pret këtë përballje. “Mezi po pres që të luaj sonte. Është ndeshje e madhe. Prishtina është skuadër e fortë dhe po luajnë mirë në të dy ligat, por ne nuk jemi ekip që kalohet kollaj, kështu që duhet të luajmë të bashkuar dhe me mençuri”, tha House për Telegrafin.

Ndryshe nga Jones, House tha se rrezikun nuk e sheh te lojtarët e Prishtinës, por te tifozët e tyre, Plisat. “Unë nuk shoh ndonjë rrezik kur zbres në palestër, por që të jem i sinqertë tifozët e tyre janë shumë të zëshëm. Kështu që, duhet të luajmë edhe kundër atyre sonte”, përfundoi House.

Çfarë mendoni ju lexues të nderuar, kush do të fitojë super-derbin e Kosovës në basketboll sonte? Cili lojtar mendoni se do të shkëlqejë më shumë? Përgjigjet tuaja jepni në hapësirën për komente.. /Telegrafi/