Dënohen katër shqiptarë në Britani - iu kapën 2.3 tonë kokainë në vlerë 218 milionë euro
Të arrestuarit janë Petko Zhutev, 39 vjeç nga Bullgaria, dhe shqiptarët Gjergj Diko, 33 vjeç, Bruno Kuci, 33 vjeç, Olsi Ebeja, 40 vjeç, dhe Erik Muci, 44 vjeç.
Ata u hetuan nga Partneriteti për Krimin e Organizuar dhe u arrestuan nga policia në një pronë industriale në Tottenham, Londra veriore, në shkurt 2021, pasi morën në dorëzim 41 ngarkesa bananesh, të cilat përmbanin sasi të mëdha kokainë.
Droga ishte e shënuar me vula të ndryshme, që korrespondonin me grupe të ndryshme krimi të organizuar që synonin shpërndarjen e saj në rrugët e Londrës dhe në gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Ky operacion konsiderohet një nga kapjet më të mëdha të këtij lloji në historinë britanike, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimeve (NCA).
Petko Zhutev u bë drejtor i një kompanie ushqimore në dhjetor 2020, një firmë që dikur ishte legjitime, por që e përdori më pas si “bazë droge”.
Erik Muci, një nga organizatorët kryesorë të operacionit, ishte përgjegjës për kontrollin e importit dhe furnizimin e vazhdueshëm të kokainës në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, siç zbuluan hetuesit përmes pajisjeve celulare të grupit.
Ky rast nënvizon seriozitetin dhe përmasën e rritjes së aktivitetit të krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar, raporton Portsmouth, njofton Telegrafi.


