Dema: Me vdekjen e profesorit Ali Gashi, arsimi humbi një nga kontribuesit më të mëdhenj
Rektori Marjan Demaj i ka shprehur ngushëllime familjes Gashi me rastin e vdekjes së Ali Gashit, profesor në Universitetin e Prishtinës.
Gashi që ka ndërruar jetë sot, kishte qenë profesor në departamentin e Elektroenergjetikës të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuteri. Rektori u ka shprehur ngushëllime tek familja e tij, të afërmit e tij, miqtë, kolegët dhe studentët.
Letra e plotë e rektorit Marjan Dema:"E respektuara familje Gashi,Dhimbja plandosi zemrat tona pas pranimit të lajmit që njëri ndër profesorët më të shquar të departamentit të Elektroenergjetikës të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Ali Gashi, nuk është më në mesin tonë.Me lejoni që në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në emër të menaxhmentit, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të këtij institucioni, t’u shpreh ngushëllimet më të sinqerta! Ngushëllimet i përcjell edhe tek të afërmit e tjerë, miqtë, kolegët dhe studentët e profesorit të ndjerë.Profesori Ali Gashi ka dhënë kontribut për rreth katër dekada në zhvillimin e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UPHP, ku për një kohë të gjatë ka ushtruar detyrën e shefit të departamentit të Sistemeve Elektroenergjetike. Ndërkaq, në vitet më të vështira të vendit, në periudhën e okupimit, prof. Gashi ka ushtruar detyrën e dekanit të FIEK-ut.Me ndarjen e tij nga jeta, arsimi humbi një nga kontribuuesit më të mëdhenj!I paharruar qoftë kujtimi për profesorin Gashi!", ka shkruar rektori Dema. /Telegrafi/


