Crossroads Fest 2026 hapi edicionin e dytë me aktivitete edukative, artistike dhe një mbrëmje spektakolare
Edicioni i dytë i Crossroads Fest 2026 ka nisur me sukses në Han të Elezit, duke sjellë një program të pasur me aktivitete edukative, kreative dhe artistike, që mblodhën qindra pjesëmarrës, artistë dhe dashamirës të kulturës.
Aktivitetet e ditës së parë filluan me lansimin e iniciativës "SHARR GATE", një projekt afatgjatë i dedikuar promovimit të natyrës dhe edukimit mjedisor.
Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 150 nxënës nga Hani i Elezit, të cilët patën mundësinë të dëgjojnë rrëfime frymëzuese nga alpinistja Uta Ibrahimi dhe të marrin pjesë në një ecje simbolike.
Në kuadër të programit ditor u organizua edhe punëtoria kreative "PUPPET LAB", e udhëhequr nga Doruntina Ukimeri. Gjatë kësaj punëtorie, fëmijët e Hanit të Elezit krijuan kukulla, ndërtuan personazhe dhe rrëfyen histori përmes artit, lojës dhe imagjinatës.
Mbrëmja kulmoi me ceremoninë e hapjes zyrtare të Crossroads Fest 2026, e cila solli një atmosferë të veçantë artistike për publikun e pranishëm.
Të pranishmit patën mundësinë të shijojnë performancën muzikore dhe vizuale të artistit Mal Everest (Mal Retkoceri), në bashkëpunim me instalacionin artistik "Mekanika e Dritës" të Florian Çangës, duke krijuar një ndërthurje mbresëlënëse të muzikës, dritës dhe artit bashkëkohor.
Atmosfera festive u plotësua nga performanca e DJ Agnes Nokshiq, e cila solli energji dhe e shndërroi mbrëmjen në një festë për të gjithë pjesëmarrësit.
Sipas organizatorëve, dita e parë e festivalit u karakterizua nga një pjesëmarrje e madhe e qytetarëve të Hanit të Elezit, si dhe nga prania e artistëve dhe mysafirëve nga mbarë Kosova, duke dëshmuar se Crossroads Fest po konsolidohet si një nga ngjarjet e rëndësishme kulturore dhe artistike në vend.
Crossroads Fest 2026 do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me një program të pasur artistik, kulturor dhe edukativ, duke ftuar publikun të bëhet pjesë e kësaj eksperience unike. /Telegrafi/


