Cristiano Ronaldos i është dhënë tashmë 'leje speciale' për të thyer rregullin e rreptë saudit
Cristiano Ronaldo vazhdon të sfidojë normat ligjore në Arabinë Saudite, ku bashkëjeton me të dashurën e tij, Georgina Rodriguez, megjithëse ligjet e vendit ndalojnë lidhjet jashtëmartesore.
Autoritetet saudite thuhet se kanë “mbyllur sytë” ndaj kësaj situate që nga ardhja e tij në vitin 2023.
Këtë javë, Ronaldo ka nënshkruar një kontratë të re dyvjeçare me Al Nassr, duke refuzuar interesimin nga Al Hilal. Ai do të përfitojë 1.1 milion euro në ditë dhe një bonus nënshkrimi prej 50 milionë, që mund të rritet në 100 milionë në vitin e dytë.
Sipas “The Sun”, portugezi gjithashtu do të përfitojë 15 për qind të aksioneve në klubin Al Nassr, çka e bën marrëveshjen një nga më fitimprurëset në histori.
Ronaldo reagoi përmes rrjeteve sociale, duke shkruar: “Një kapitull i ri fillon. I njëjti pasion, e njëjta ëndërr. Le të bëjmë histori së bashku”.
Nënshkrimi i ri do të thotë se ai dhe Georgina do të vazhdojnë të jetojnë së bashku në Riad, edhe pse nuk janë të martuar. Ligji saudit e ndalon këtë, por rasti i Ronaldos është toleruar.
Dy avokatë sauditë thanë për agjencinë EFE se autoritetet nuk ndjekin më penalisht emigrantët për bashkëjetesë pa martesë, përveç në raste të veçanta problematike apo me precedent penal.
Ronaldo dhe Georgina janë në një lidhje që nga viti 2016. Ata u njohën në një dyqan Gucci në Madrid dhe kanë dy vajza së bashku, ndërsa Ronaldo ka edhe tre fëmijë të tjerë.
Futbollisti ka deklaruar më parë se do të martohet me Georginën, duke theksuar se “e meritojnë këtë hap”. Për momentin, çifti po shijon luksin dhe lirinë e ofruar nga marrëveshja mbretërore. /Telegrafi/


