Please enter at least 3 characters.

Çorapet e vjetra prej najloni dhe fshesa me rrymë i pastrojnë perdet për pak minuta

Pa i hequr nga shufra dhe pa i futur menjëherë në larje, mund t’ua largoni pluhurin me një metodë të thjeshtë që kërkon vetëm dy gjëra

Heqja e perdeve, larja, tharja, hekurosja dhe vendosja e tyre sërish janë ndër ato punë shtëpie që shumica përpiqen t’i shtyjnë sa më gjatë.

Megjithatë, mes dy larjeve, perdet vazhdojnë të mbledhin pluhur, grimca nga ajri, qime të kafshëve shtëpiake dhe aroma të ndryshme. Nëse nuk janë aq të ndotura sa të kenë nevojë për një larje të plotë, ekziston një mënyrë e thjeshtë për t’i freskuar ndërsa vazhdojnë të qëndrojnë të varura.

Gjithçka që ju nevojitet është një fshesë me korrent dhe një palë çorape të vjetra prej najloni.

Pse pikërisht çorapet prej najloni?

Pastrimi i drejtpërdrejtë i perdeve të holla me fshesë me rrymë nuk është gjithmonë ide e mirë. Edhe kur fuqia e thithjes zvogëlohet, pëlhura mund të ngjitet pas grykës, të tërhiqet brenda saj ose të rrudhet. Te materialet shumë delikate ekziston edhe rreziku i dëmtimit.

Në këtë rast, najloni shërben si një rrjetë e thjeshtë mbrojtëse.

Merrni geta të vjetra e të pastra ose një çorape najloni, shtrijeni mbi grykën e fshesës me korrent dhe fiksojeni mirë me një llastik ose me shirit ngjitës.

Ajri do të vazhdojë të kalojë dhe të tërheqë pluhurin nga sipërfaqja, ndërsa najloni do ta pengojë perden që të futet në grykën e fshesës, transmeton Telegrafi.

Si t’i pastroni pa i hequr?

Para se të filloni, vendoseni fshesën me korrent në fuqinë më të ulët.

Kaloni ngadalë mbi perde, nga lart-poshtë, pa ushtruar presion të fortë. Kushtojini më shumë vëmendje pjesës së sipërme pranë shufrës dhe palosjeve, sepse aty pluhuri grumbullohet më lehtë.

Nëse perdet janë shumë të holla ose të ndjeshme, provojeni fillimisht metodën në një pjesë të vogël dhe më pak të dukshme.

Edhe raketa mund të ndihmojë

Nëse nuk keni çorape najloni, mund të përdorni edhe një raketë badmintoni ose tenisi.

Vendoseni atë ndërmjet perdes dhe grykës së fshesës me rrymë. Rrjeta e raketës e mban pëlhurën në vend, ndërsa fshesa tërheq pluhurin përmes saj.

Parimi është i njëjtë: të largohet pluhuri pa lejuar që perdja të tërhiqet nga fshesa.

Megjithatë, çorapet prej najloni janë më praktike, sepse vendosen drejtpërdrejt mbi grykë dhe e bëjnë më të lehtë pastrimin e palosjeve.

Nuk e zëvendëson larjen

Kjo metodë është e mirë për largimin e pluhurit sipërfaqësor dhe mund ta zgjasë kohën ndërmjet dy larjeve.

Por nëse perdet janë zverdhur, kanë njolla ose kanë thithur erën e cigareve, gatimit apo aroma të tjera të forta, pastrimi me fshesë nuk mjafton.

Në këto raste ato duhet të hiqen dhe të lahen sipas udhëzimeve të materialit.

Për një freskim të shpejtë javor, megjithatë, ky truk mund të jetë shumë praktik dhe t’ju kursejë kohë e mund. /Telegrafi/