Çmimet “shpërthejnë” në Camp Nou, Barca–Real pothuajse e shitur totalisht
Interesi për El Clásicon e së dielës në Camp Nou ka arritur kulmin, duke bërë që biletat të shiten me ritëm rekord dhe çmimet të “shpërthejnë”.
Përballja mes Barcelonës dhe Real Madridit pritet të jetë vendimtare edhe për garën e titullit, pasi Barça mund ta sigurojë matematikisht trofeun e La Ligës nëse arrin të marrë të paktën një pikë.
Sipas raportimeve, që prej së hënës pasdite të gjitha biletat bazë janë shitur, plot gjashtë ditë para ndeshjes, ndërsa në dispozicion kanë mbetur vetëm paketat VIP dhe VIP Premium, me çmime që kalojnë 2,500 euro.
Aktualisht, biletat Premium kushtojnë rreth 2,500 euro, ndërsa VIP Premium arrijnë deri në 2,750 euro.
Këto paketa ofrojnë përvojë ekskluzive, përfshirë akses në sallone VIP, shërbim ushqimi dhe trajtim të personalizuar gjatë eventit, ndërsa VIP Premium përfshin edhe një pozicion më të favorshëm në stadium.
Në këto rrethana, pjesëmarrja në stadium për El Clásicon e radhës është kthyer në një luks për pak njerëz, ndërsa edhe një herë kjo ndeshje konfirmon statusin e saj si dueli që asnjë tifoz nuk dëshiron ta humbasë. /Telegrafi/


