Çlirojnë Urozhainen, ukrainasit rikthejnë fshatin duke goditur rëndë me artileri rusët derisa tërhiqeshin
Forcat ukrainase kanë marrë nën kontroll fshatin Urozhaine në rajonin e Donetskut dhe kanë gërmuar në pozicione në periferi të atij vendi në juglindje të vendit.
“Urozhaine është çliruar. Mbrojtësit tanë janë në istikame në perimetrin e saj”, njoftoi në Telegram, Hana Maliar, Zëvendës- Ministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, transmeton Telegrafi.
Reuters raporton se Urozhaine është pjesë e një sërë vendbanimesh të vogla rurale që Ukraina i ka shpallur të çliruara që nga fillimi i qershorit, kur trupat e saj nisën një kundërofensivë kundër forcave ruse në frontet jugore dhe lindore.
Organizata kërkimore ruse "Ekipi i Inteligjencës së Konfliktit" raporti dje se forcat ukrainase me madhësinë e një divizioni, duke përfshirë të katër brigadat e Trupave Detare të Ukrainës, rrethuan Urozhainen, një vendbanim me disa qindra shtëpi të shpërndara përgjatë tre rrugëve paralele në drejtimin veri-jug.
“Rimarrja e Urozhaine ishte vetëm çështje kohe”, vlerësoi "Ekipi i Inteligjencës së Konfliktit".
Ndërsa përparuan në lindje dhe në perëndim të Urozhaine, ukrainasit u lanë rusëve vetëm një rrugëdalje nga vendi: rrugën T0518, e cila të çon në jug në dy fshatra fqinjë.
Kur garnizoni i rraskapitur rus filloi të tërhiqej, tërësisht ose pjesërisht, fundjavën e kaluar, ushtarët e bënë këtë në këmbë dhe në mes të ditës, duke lëvizur përgjatë rrugës së hapur dhe fushave përgjatë asaj rruge.
Dronët ukrainas i ndoqën të gjitha këto duke fluturuar mbi kokat e ushtarëve rusë dhe duke drejtuar zjarr artilerie ndaj tyre.
Dy pamjet me dron të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës të dielën, treguan dhjetëra rusë që po kalonin me shpejtësi në një rrugë.
Në videon e parë shihet një granatë duke shpërthyer duke hedhur ushtarët në tokë. Në një video tjetër, artileritë ukrainase përdorin municione thërrmuese vdekjeprurëse. /Telegrafi/


