Clintonët refuzojnë të dëshmojnë në Kongresin amerikan për Epstein
Bill dhe Hillary Clinton refuzojnë të dëshmojnë në hetimin për Jeffrey Epstein përballë Kongresit dhe rrezikojnë t’i shpallin “përbuzës” të Kongresit.
Ish‑presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish‑Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton refuzuan më 13 janar të paraqiten për të dëshmuar në një hetim të Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me pedofilin e ndjerë, Jeffrey Epstein, çka ka tensionuar edhe më shumë marrëdhënien e tyre me kreun e Komitetit për Mbikëqyrje, republikani James Comer dhe rrezikojnë të shpallen me akuzën për “përbuzje të Kongresit”.
Në një letër të gjatë drejtuar Comerit, Clintonët thanë se vendosën të mos paraqiten, duke shkruar se “çdo person duhet të vendosë kur është mjaftueshëm dhe gati të mbrojë vendin e tij dhe parimet e tij, pa marrë parasysh pasojat”, dhe se për ta tani ishte koha të kundërshtonin procesin, raporton newyorktimes.
Comer e ka shtyrë afatin për paraqitjen e tyre dhe ka kërcënuar të përdorë fuqinë e Kongresit për t’i shpallur ata në ‘përçmim’ të Kongresit nëse nuk paraqiten për depozitimin personal.
Kjo është një masë serioze që në teori mund të çojë në referim kriminal te Departamenti i Drejtësisë, megjithatë nuk është e zakonshme të përdoret ndaj ish‑presidentësh.
Clintonët argumentuan në letrën e tyre se thirrjet për t’u dëshmuar personalisht janë “të pavlefshme dhe juridikisht të papërshtatshme”, dhe se ata tashmë i kanë dorëzuar komitetit deklarata nën betim të ngjashme me ato që janë pranuar nga dëshmitarë të tjerë të thirrur. Ata deklaruan se nuk kanë njohuri relevante për hetimin dhe sulmuan komitetin duke thënë se po i përdorë hetimet për qëllime politike.
As Bill Clinton dhe as Hillary Clinton nuk janë akuzuar për ndonjë keqbërje në lidhje me Jeffrey Epstein, dhe të dy kanë thënë se nuk dinë asgjë të rëndësishme për krimet e tij. /Telegrafi/


