City i hakmerret Tottenhamit dhe me fitore rikthen pozitën e parë në Ligën Premier
Manchester City ka fituar me rezultat minimal 1-0 ndaj Tottenham Hotspur në ndeshjen e vlefshme për javën e 35-të në Ligën Premier.
Qytetarët i janë hakmerr pas vetëm tri ditëve Spursave, pas asaj humbje që ia shkaktuan në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të vendasve, të cilët përveç shumë rasteve të krijuara arritën të gjejnë edhe golin.
Goli erdhi pas vetëm pesë minutave lojë dhe ishte i riu Phil Foden, i cili shënoi nga afërsia për 1-0 pas asistimit të Sergio Agueros.
City provoi përsëri me Foden (23') dhe Bernardo Silva (33'), por pa arritur të tundin rrjetën.
Në pjesën e dytë, përsëri City e tha fjalën e tyre duke dominuar dhe duke rrezikuar pas vetëm katër minutave me Agueron, por goditja e tij u bllokua.
Vendasit provuan edhe me Foden (50') dhe Leroy Sane (69'), por shifrat mbeten të pandryshuara dhe City u mjaftua me një fitore minimale 1-0.
Pas kësaj fitore, City rikthen pozitën e parë me 86 pikë apo një më shumë se Liverpooli në vendin e dytë, ndërsa Tottenhami renditet i treti me 67 pikë.
Në ndeshjen e radhës, ekipi i Pep Guardiolas udhëton te rivali lokal Manchester Unitedi, ndërsa Tottenhami e pret Brightonin. /Telegrafi/
https://twitter.com/fromuponthemoon/status/1119570372167393280


