Çfarë mund të na mësojë Mesjeta për parandalimin e rraskapitjes
Një detaj i një vepre artistike që paraqet priftin mesjetar Gjon Kasiani të ulur në hyrje të një shpelle mbi një shkëmb, me pamje nga malet, ndërtesat, dielli dhe qielli. Në prehrin e tij ndodhet një libër
(Alamy)
Nga: David Robson / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Stresi dhe rraskapitja mendore nuk janë dukuri të reja - në Mesjetë ato ishin të përhapura. Dhe, urtësia e Mesjetës mbi mënyrën se si duhet përballuar rraskapitja vazhdon të tingëllojë çuditërisht e vërtetë edhe sot.
Simptomat, vërente Gjon Kasiani, ishin gjithmonë të njëjtat. Lodhje dhe mungesë shprese, dëshirë për të qenë kudo tjetër përveçse në punë dhe mjegullim i mendjes - “një lloj hutimi i paarsyeshëm i mendjes” që i linte bashkëpunëtorët e tij të ndiheshin dembelë e të padobishëm dhe të dëshironin “ngushëllimin e gjumit”.
Nëse ke vuajtur ndonjëherë nga rraskapitja, lodhja e skajshme ose depresioni, ndoshta të paktën disa prej këtyre ndjenjave të duken të njohura dhe mund të mendosh se këto vuajtje janë të veçanta për trysnitë e shekullit XXI. Por, Kasiani ka shkruar në shekullin V pas Krishtit dhe lexuesit të cilëve u drejtohej nuk ishin drejtorët e sotëm, por të krishterët e hershëm që ishin rraskapitur nga përpjekjet e tyre shpirtërore.
Lexo po ashtu:
- Të vjella, nxjerrje gjaku dhe puthje të shenjta - e vërteta për mjekësinë mesjetare
- Murtaja e Zezë nuk e shkatërroi Britaninë - ajo e shpëtoi
- Gjyqet brutale për magji, të cilat vazhdojnë të kenë ndikim edhe sot
- E vërteta tronditëse pas artit historik anatomik
- “Shoqëruesja e përkryer e jetës”: Murgesha e shekullit XII, emri më tërheqës në muzikën eksperimentale
- Rapsodi i harruar, që rrinte pezull në dëshpërimin e heshtur: Rokeri i parë i Anglisë!
- Rrëfimi për superheroin më të famshëm të Mesjetës!
A mund të hedhin dritë rrëfimet e tilla mbi sëmundjen tonë bashkëkohore, madje edhe të sugjerojnë një kurë? Ky është argumenti i librit të ri të historianit Peter Jones, Ndihmë për vetveten nga Mesjeta: Një udhëtim në mendjen mesjetare [Self-Help from the Middle Ages: A Journey into the Medieval Mind], i cili ofron një vështrim tërheqës mbi mënyrat se si “priftërinjtë terapeutë” - termi i përdorur nga Jonesi - i udhëhiqnin besimtarët e tyre për t'i nxjerrë nga ankthi shpirtëror.
Hulumtimi i tij tregon se sa të zakonshme kanë qenë ndjenjat e rraskapitjes gjatë gjithë historisë - një pranim që vetë mund të sjellë ngushëllim për këdo që po përballet me një natë të errët të shpirtit. “Ka aq shumë urtësi në Mesjetë”, thotë Jonesi. Në fund të fundit, tashmë kemi parë një shumim librash të “filozofisë së stilit të jetës” që nxjerrin mësime nga veprat e stoikëve të lashtë - ndoshta ka ardhur koha të marrim një faqe edhe nga disa dorëshkrime mesjetare.
I humbur në Siberi
Jonesi u frymëzua ta shkruante librin pas krizës së tij personale - “dimrit më të ftohtë të jetës sime”. Për arsye që ende e ka të vështirë t'i shpjegojë, ai kishte pranuar detyrën e drejtuesit të Departamentit të Historisë në Universitetin e Tjumenit në Siberi. Temperaturat ishin aq të ulëta saqë humbiste çdo ndjesi në këmbë pasi kalonte vetëm 20 minuta jashtë. Ai përpiqej të mësonte gjuhën dhe i mungonte shumë familja e tij në Dublin. “Duhej të bëja kërkime dhe të planifikoja mësimet, të vazhdoja jetën time”, shkruan ai. “Por, nuk arrija ta bindja veten të bëja asgjë”.
Megjithatë, ndërsa nisi të hartonte një kurs të ri mbi Shtatë Mëkatet Vdekjeprurëse, ai filloi të gjente jehonën e pakënaqësisë së vet në rrëfimet mesjetare që po studionte. “E kupton se ata kalonin pikërisht të njëjtat gjëra që kalojmë edhe ne”, thotë ai. “Ndjenjat kanë qenë gjithmonë të njëjta dhe njerëzit kanë kaluar të njëjtat kriza”.
Shtatë Mëkatet Vdekjeprurëse, shpjegon Jonesi, nuk përmenden në Bibël, por u formuluan prej mendimtarëve të hershëm të krishterë si Kasiani. Më pas ato u përpunuan nga Papa Gregori i Madh i cili - siç shkruan Jonesi në librin e tij - “mendonte se do të ishin mjeti i përsosur për të hartuar shqetësimet e mendjes”. Kjo kornizë për “renditjen dhe përpunimin e të gjitha mendimeve” përbëhej nga: krenaria, smira, zemërimi, plogështia, lakmia, grykësia dhe epshi.
Deri në shekullin XIII, ishin shfaqur një sërë doracakësh të njohur për t'i udhëzuar priftërinjtë terapeutë mbi mënyrat më të mira për të ndihmuar besimtarët e tyre që t'i kapërcenin këto probleme gjatë rrëfimit. “Kur i shqyrton këto materiale, pamja goxha i ngjan terapisë”, thotë Jonesi. Në vend që ta qortonin bashkësinë e besimtarëve, “ata nxisnin një bisedë mjaft depërtuese dhe me nuanca - që depërtonte nën sipërfaqe”.
Acedia - mungesë dashurie, një zbrazëti e shpirtit
Plogështia ishte ajo që përputhej më së miri me ndjenjat që Jonesi kishte përjetuar në Siberi. Sot këtë fjalë mund ta lidhim me dembelizmin ose përtacinë e qëllimshme, por autorët mesjetarë e pranonin zbrazëtinë emocionale që qëndronte në zemër të kësaj vuajtjeje. E njohur në atë kohë si akedia, ajo përfshinte “mungesën e dashurisë, paralizën e përkujdesjes, zbrazëtinë e shpirtit”, shkruan Jonesi. “Është gjendja kur të gjitha ato gjëra që dikur ta ndriçonin ditën tani të lënë të ftohtë dhe indiferent”.
Jonesi tregon se gjeti jehonë të madhe te një tekst i shekullit XIII, i njohur si MS 306 në Kolegjin e Trinisë në Dublin. Autori e përshkruan akedinë si “qëndrimi në mes të një lumi të rrëmbyeshëm, përballë një rryme që shkumëzon dhe më godet këmbët, por pa energji për të ecur përpara” - ndjenja mpirjeje të cilat Jonesi i njihte shumë mirë nga dimri i tij në Siberi.
Ndërkohë, shkrimet e “Arkipoetit” - një autori anonim nga Gjermania e shekullit XII - përshkruajnë zhgënjimet e mëdha që i sillte puna e tij si burokrat, me ankesa që mund t'i duken të njohura çdo drejtori të sotëm. “Poezitë e tij flisnin për punën e pandërprerë në një vend pune të kotë që atij i dukej i vogël dhe pa kuptim - duke dhënë gjithçka, ndërsa e konsumonte veten deri në fund”.
Jonesi nuk është aspak i vetmi historian që ka gjetur këto ngjashmëri midis vuajtjeve mesjetare dhe atyre moderne. Në librin e saj Rraskapitur [Exhausted], historiania e kulturës (dhe trajnuesja e drejtorëve), Anna Katharina Schaffner, vendos një lidhje të drejtpërdrejtë midis akedisë së përshkruar nga të krishterët mesjetarë dhe rraskapitjes së ditëve tona, simptomat e së cilës përfshijnë prirjen për të ngrënë për ngushëllim dhe për t'u marrë me shpërqendrime të pakuptimta në vend të punës me kuptim.
“Është një rreth vicioz klasik: ata që vuajnë nga akedia bëhen gjithnjë e më pak të aftë për meditim dhe për të soditur gjëra të natyrës shpirtërore, ndërsa strategjitë e tyre të zgjedhura keq për të rifituar energjinë vetëm sa e përkeqësojnë gjendjen e tyre”, shkruan ajo. “Në këtë kuptim, ata janë njësoj si ne - njerëzit e rraskapitur të shekullit XXI, që merren me një mori veprimtarish zëvendësuese po aq joproduktive”.
Fusha me gjemba dhe male të forta
Po cilat ishin zgjidhjet? Autori i MS 306-it jep një aludim të tërthortë biblik. “Do apo nuk do, jebusejtë jetojnë brenda kufijve të tu”, shkroi ai. “Mund t'i nënshtroni, por nuk mund t'i shfarosni”. Jebusejtë, shpjegon Jonesi, ishin një fis i lashtë që dikur kishte pushtuar Jerusalemin dhe ishte e pamundur të dëboheshin. Në këtë mënyrë, autori po e këshillon dikë që vuan nga akedia të mësojë të jetojë me ndjenjat e veta, pa luftuar kundër tyre.
Traktati mbi virtytet dhe veset [Summa de Virtutibus et Vitiis] i William Peraldusit ka qasje të ngjashme. “Ai na thotë të kujtojmë se fusha që mbulohet me gjemba një ditë do të japë fryte”. Për ta riorientuar mënyrën tonë të të menduarit, Peraldusi sugjeronte të gjejmë një “mal të fortë” - një lloj qëllimi më të lartë që do të na ndihmojë t'i përballojmë kohët e vështira. “Ke nevojë për mbështetjen dhe forcën e dikujt që e do ose të diçkaje që do për t'ia dalë mbanë”, shpjegon Jonesi. “Nëse ke besim te gjërat që do, ato me kalimin e kohës do të kthehen përsëri te ti”.
Jonesi shqetësohet se në biseda, pa peshën e burimeve origjinale, “ato mund të tingëllojnë si klishe”, por përmbledhjet e tij të kujtojnë në mënyrë të habitshme trajtimet e sotme për rraskapitjen dhe problemet e tjera emocionale. Për shembull, Terapia e Pranimit dhe Përkushtimit na nxit t'i pranojmë emocionet tona pa u përpjekur t'i ndryshojmë ato. Krahas të mësuarit për të jetuar me këto emocione, këshillohemi të përcaktojmë vlerat tona personale dhe të ndërmarrim hapa me kuptim për të jetuar në përputhje me to. Shtoji kësaj disa metafora mesjetare për fushat me gjemba dhe malet e forta dhe përfundon me diçka shumë të afërt me këshillën që Peraldusi jepte 800 vjet më parë.
Ndoshta, më e rëndësishmja, këta mendimtarë mesjetarë na kujtojnë fuqinë e faljes së vetes - një tjetër temë që përsëritet vazhdimisht në psikoterapinë moderne.
Jonesi përmend shkrimet e Bernardit të Kiarevales nga shekulli XII - njërit prej bashkëthemeluesve të Kalorësve Templarë. “Ai e krahason jetën e mirë me vrapimin në një terren të ashpër dhe thotë se kushdo që vrapon mjaftueshëm gjatë do të rrëzohet ose do të pengohet”, shpjegon Jonesi. “Të gjithë do të kemi çastet tona të humbjes së plotë të drejtimit”.
Sipas tij, ngushëllim i madh është vetë pranimi se nuk je i vetëm në vuajtjen tënde; cilado qoftë vuajtja jote, njerëzit janë ndier kështu prej mijëra vjetësh. “Është ngushëlluese të ndiesh shoqërinë e njerëzve të historisë”, thotë ai. /Telegrafi/

