Please enter at least 3 characters.

“Çështje e mbyllur”, trajneri i Sunderlandit i çon mesazh të qartë Chelseas për Granit Xhakën

Chelsea ka marrë një goditje në përpjekjet për të transferuar Granit Xhakën, pasi trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris, ka bërë të qartë se mesfushori nuk do të largohet nga klubi këtë verë.

Mesfushori shqiptar ishte lidhur me një kalim të bujshëm në "Stamford Bridge", ku trajneri Xabi Alonso dëshironte të ribashkohej me ish-lojtarin e tij te Bayer Leverkuseni. Megjithatë, klubet nuk arritën marrëveshje dhe negociatat u ndërprenë.

Pas humbjes së Sunderlandit në ndeshjen miqësore ndaj Liverpoolit, Le Bris konfirmoi se çështja është mbyllur.

“Granit Xhaka te Chelsea? Nuk ka asgjë të re, kjo çështje është e mbyllur”.

“Ai ka qenë shumë i qartë për të ardhmen e tij. E do Sunderlandin, dëshiron të qëndrojë këtu dhe të ndërtojë të ardhmen me këtë klub. Është një kapiten i mirë dhe një lider i madh”, deklaroi trajneri francez.

Edhe vetë Xhaka konfirmoi se nuk ka ndërmend të largohet nga "Stadium of Light".

“Sunderlandi ka qenë shtëpia ime që nga dita e parë. Të gjithë jemi shumë të lumtur. Kam vendosur të qëndroj aty ku jam; gjëja më e rëndësishme është familja. Jam gati të bëj histori me këtë klub”, u shpreh ai.

33-vjeçari iu bashkua Sunderlandit verën e kaluar nga Bayer Leverkuseni, duke u rikthyer në Ligën Premier pas aventurës së tij shumëvjeçare me Arsenalin.

Në sezonin e tij të parë me Sunderlandin, Xhaka zhvilloi 36 ndeshje dhe shënoi një gol, ndërsa paraqitjet e tij ndihmuan skuadrën të sigurojë një vend në Ligën e Evropës për sezonin e ardhshëm./Telegrafi/