Please enter at least 3 characters.

Carlo Ancelotti vendos për të ardhmen pas interesimit të Italisë

Carlo Ancelotti ka refuzuar mundësinë për t'u rikthyer në krye të Kombëtares së Italisë, duke konfirmuar se është plotësisht i përkushtuar ndaj projektit me Brazilin.

Sipas “GE Globo”, trajneri italian ka ftohur interesimin e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), e cila kishte zhvilluar kontakte paraprake për të mësuar më shumë rreth planeve të tij dhe klauzolës së largimit nga kontrata.

Lajmi u bë i ditur nga Paolo Maldini, drejtori i ri teknik i kombëtareve të Italisë, i cili zbuloi se bisedimet fillestare ishin zhvilluar rreth dy javë më parë.

Megjithatë, Ancelotti e bëri të qartë se nuk është i interesuar të largohet nga posti i përzgjedhësit të Brazilit, pasi së fundmi ka zgjatur kontratën e tij me Konfederatën Braziliane të Futbollit (CBF) deri në vitin 2030.

Ndërkohë, Federata Italiane po shqyrton edhe alternativa të tjera për postin e trajnerit të përhershëm, duke zhvilluar bisedime edhe me Pep Guardiolën, teksa synon të gjejë pasuesin e Gennaro Gattusos.

Ancelotti aktualisht ndodhet me pushime në Kanada dhe pritet të rikthehet në Rio de Janeiro gjatë muajit gusht për të nisur përgatitjet e Brazilit për ndeshjet miqësore të shtatorit ndaj Australisë./Telegrafi/