Please enter at least 3 characters.

Breshri shkatërron kulturat bujqësore në Istog, Ferati: Dëmet janë katastrofale

Reshjet e dendura të shiut, të shoqëruara me breshër, kanë goditur këtë të hënë komunën e Istogut, duke shkaktuar dëme të mëdha në sektorin e bujqësisë.

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka deklaruar se dëmet janë të përmasave katastrofale, pasi janë prekur pothuajse të gjitha kulturat bujqësore në një pjesë të madhe të territorit të komunës.

“Dëmet janë katastrofale në bujqësi. Të gjitha kulturat, për të cilat bujqit kanë punuar prej muajsh, janë dëmtuar. Në shumicën e fshatrave ka pasur dëme, nga Istogu deri në kufi me Pejën. Në Kovragë, që është njëri prej fshatrave me më së shumti tokë pjellore e punueshme, kulturat janë shkatërruar pothuajse tërësisht, ndërsa dëme ka edhe në ekonomitë familjare”, tha Ferati për KALLXO.

Ai bëri të ditur se ekipet e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë dalë në terren për të evidentuar situatën.

Ferati njoftoi se komisionet komunale për vlerësimin e dëmeve do ta nisin punën të martën, më 21 korrik.

“Komisionet do të mblidhen nesër në orën 10:00. Fillimisht do të kemi një takim, e më pas do të dalin në terren për të vlerësuar dëmet në bujqësi dhe në ekonomitë familjare. Besoj se deri në fund të javës do të kemi një vlerësim të plotë, të cilin do ta procedojmë në Kuvendin Komunal dhe më pas në Ministrinë e Bujqësisë, për t’u trajtuar edhe nga Komisioni Nacional. Shpresojmë që fermerët të kompensohen për të paktën një pjesë të dëmeve”, u shpreh ai.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, edhe gjatë pasdites së sotme janë parashikuar reshje lokale shiu, të shoqëruara me shkarkime rrufesh në disa zona të vendit.