‘Bomberi’ i kampionatit belg i hap rrugën një transferimi te Man Utd në verë
Sulmuesi i krahut të Club Brugge, Christos Tzolis, ka pranuar se do ta kishte të vështirë ta refuzonte Manchester Unitedin, teksa spekulimet për një kalim në Ligën Premier po shtohen.
Sulmuesi grek ka tërhequr interesimin e disa klubeve angleze, përfshirë Manchester United, Arsenalin dhe Manchester Cityn, pas një sezoni mbresëlënës në Belgjikë.
Tzolis këtë edicion regjistroi 21 gola dhe 28 asistime, duke u konfirmuar si një nga lojtarët më të spikatur ofensivë të Club Brugge.
Duke folur për DAZN, 24-vjeçari theksoi se e ardhmja e tij do të varet si nga Club Brugge, ashtu edhe nga projekti sportiv që do t’i ofrohet.
“Do ta shohim se cila është alternativa më e mirë për mua. Nuk ka të bëjë vetëm me emrin. Duhet ta pyesim veten edhe cili është projekti më i mirë”, tha Tzolis.
Ai nuk e përjashtoi as mundësinë që të qëndrojë në Belgjikë, pavarësisht zërave për transferim.
“Pse të mos qëndroj te Club Brugge? Kam kontratë deri në vitin 2029. Jam profesionist. Duhet ta respektoj skuadrën time”.
Megjithatë, në një intervistë tjetër për Het Nieuwsblad, Tzolis duket se i dha sinjal pozitiv Manchester Unitedit, teksa hodhi poshtë mundësinë e një kalimi te Crystal Palace.
“United mund të më bindë. Është një klub kaq i madh, me kaq shumë histori. Do të ishte e vështirë t’i thoja jo”, përfundoi ai./Telegrafi/


