Please enter at least 3 characters.

Bessent: Nuk mund të ketë luftë tregtare me dikë që është 13 herë më i madh se ju

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka ironizuar tarifat reciproke të vendosura nga Kanadaja ndaj Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar situatën mes dy vendeve si një përplasje të pabarabartë ekonomike.

Gjatë një interviste për CNBC, Bessent u pyet nëse Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja tashmë ndodhen në një luftë tregtare “sy për sy”, transmeton Telegrafi.

“Nuk mendoj se mund të ketë një luftë tregtare sy për sy me dikë që është 13 herë më i madh se ju”, deklaroi Bessent, duke iu referuar fuqisë ekonomike të Shteteve të Bashkuara.

Ai kritikoi ashpër kryeministrin kanadez Mark Carney, duke e akuzuar se ka shndërruar mosmarrëveshjen tregtare në një përplasje politike.

“Kjo është shumë për të ardhur keq. Kryeministri Mark Carney e ka kthyer këtë në një përleshje politike”, tha Bessent, duke shtuar se Uashingtoni nuk është në luftë me Kanadanë.

Në një moment ironik, ai pyeti se çfarë mund të bënte Kanadaja në një përballje të tillë, duke bërë shaka me kapacitetet ushtarake kanadeze dhe duke thënë se vendi nuk mund të kërcënojë Shtetet e Bashkuara me “dy nëndetëset e tij”.

Bessent akuzoi gjithashtu Carney-n se ka vepruar në interes të Partisë Liberale dhe të karrierës së tij politike, në vend që të fokusohet tek interesat afatgjata të qytetarëve kanadezë.

Sipas sekretarit amerikan të Thesarit, Kanadasë i ishte ofruar një nga marrëveshjet më të favorshme tregtare nga Shtetet e Bashkuara, por Otava vendosi të tërhiqej në momentin e fundit.

Edhe Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, kishte bërë më herët akuza të ngjashme, duke pretenduar se Kanadaja e kishte ndërprerë marrëveshjen për arsye politike.

Nga ana tjetër, kryeministri kanadez Mark Carney ka kundërshtuar versionin amerikan të ngjarjeve. Ai tha se negociatat dështuan pasi ndryshimet e bëra nga SHBA-ja në momentin e fundit ishin, sipas tij, “të padrejta dhe joekonomike” dhe ngritën pikëpyetje mbi besueshmërinë e çdo marrëveshjeje të ardhshme.

Përplasja mes Uashingtonit dhe Otavës vjen në një periudhë tensionesh të shtuara tregtare, me të dyja palët që kanë ndërmarrë masa tarifore ndaj njëra-tjetrës.

Mosmarrëveshja mes dy aleatëve tradicionalë të Amerikës së Veriut tashmë është shndërruar në një nga konfliktet më të rëndësishme ekonomike në marrëdhëniet SHBA–Kanada. /Telegrafi/