Please enter at least 3 characters.

Beogradit duhet përgjigjur

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin e saj. Dhe ky mendim ishte në përputhje me dëshirën e shumicës dërmuese të qytetarëve të Kosovës. Dhe ai, sado pozitiv të jesh, nuk do të ishte më mirë i shpalosur se sa që ishte, apo thënë pak më ndryshe ishte jo shumë i pritur edhe për ne shqiptarët e Kosovës, e pa dyshim shumë i papritur për serbët në përgjithësi.

Por deklarata e kryeministrit Hashim Thaçi rreth propozimit të presidentit serb, Boris Tadiq, ishte pak sa jo e matur dhe e ngutshme, ishte jo mirë e formuluar. Kuptohet janë detaje që nuk qojnë aq peshë, porse, përkundër kësaj, ato kanë një masë.

Keni vërejtur një fakt, sa herë që përmendet ndarja apo më saktë shkëmbimi i territoreve të Kosovës, atëherë përgjigja e të gjithë zyrtarëve të Kosovës është përafërsisht e njëjtë. Ajo, pra përgjigja, konsiston nga, pak a shumë, këto fjali: nuk ka shkëmbim territoresh, nuk bëhet fjalë për ndryshim kufijsh, ka përfunduar çështja e statusit të Kosovës etj., por përgjigja e Kryeministrit të Kosovës i cili tha se “ideja e Tadiqit është ide e marrë, për të shtuar se këto ide ishin edhe të periudhës së Millosheviqit!”? më duken disi të përcipta.

Besoj, dhe jam shumë i bindur, që, përveç guximit, duhet edhe urtësi dhe mbi të gjitha analiza të hollësishme në lansim të ideve, të cilat pushtetarëve të Kosovës ju mungojnë mjaft, dhe ide të gatshme për t’u mbrojtur nga sulmet e Beogradit.

Asnjë pushtetar, respektivisht zyrtarë, pesha e fjalës së cilit është ndikuese, nuk merr guxim, e të thotë se do të analizohet kërkesa e Tadiqit dhe më pas t’i jepen arsyet se pse nuk mund të ketë ndarje të territorit, apo edhe më mirë, të jepet menjëherë arsyeja e kundërshtimit të kërkesës serbe, kuptohet po që se e kemi të gatshëm në sirtarë. Pra kjo do të ishte e arsyeshme për shkak se ad-hoc nuk do të bëjmë shkëmbim territoresh dhe disi po të isha nga Lugina e Preshevës do të ndihesha shumë i diskriminuar. E di se pyetja tjetër e cila do të parashtrohet është “po atëherë çka do të thonë ata të Mitrovicës veriore”, po mu për këtë duhet shpjegim në mënyrë që të gjithë ta dinë pse nuk bënë të ketë shkëmbim territoresh.

E di se disa mund të thonë se nuk bënë të ketë shkëmbim të territoreve për shkak se ajo do të ketë domino-efekt, pra bije çështja e ndarjes së Kosovës dhe e godet edhe Maqedoninë, edhe Malin e Zi etj.. Jo, edhe kjo nuk është përgjigje e duhur, për shkak se po që se thuhet se Kosova është “Sui Generis” atëherë e njëjta alibi mund të përdoret për shkëmbim të territoreve. Pra, Kosova mund të shkëmbej territore dhe se rasti i Kosovës është i veçantë.

Në arenën ndërkombëtare duhet të paraqitemi si pragmatik, analitik dhe mbi të gjitha realist, por krejt këto komponente mund të arsyetohen me një përgjigje sintetike pas një analize të hollësishme. Mos të harrojmë ndërkombëtarët nuk mendojnë shqip. E mendimi i tyre është relevantë për Kosovën.

Ndërsa përgjigja e kryeministrit Thaçi në pjesën ku thotë se kjo ide përkon me periudhën e Millosheviqit, është jo e qëlluar. Pse? Thjesht epoka e Millosheviçit nuk ishte epokë e kërkesës për dialog, nuk ishte epokë për ndarje të Kosovës apo shkëmbim të territoreve të saj. Në atë kohë, larg çoftë, e terrorit dhe gjenocidit, nuk ka ekzistuar asnjë mundësi për të biseduar për Kosovën me Beogradin zyrtarë, në çfarëdo forme qoftë. Gjuhë e vetme për bisedime, e cila ishte e pashmangshme, ishte ajo e tytës.

Përgjigjet e Prishtinë zyrtare duhet të jenë të gatshme dhe para se ato parashtrohen prej Beogradit. Dhe një gjë e tillë është jo shumë e vështirë, duhet analiza globale deri tek ato regjionale dhe më pas ato të brendshme. Për të mos u futur në shpjegim të këtyre komponentëve do të ndalem në një arsye, besoj të rëndësishme, ndër të shumtat, se pse duhet përgjigje përmbajtjesore në kërkesën e Beogradit e jo vetëm thjesht “nuk bën”.

Ka zëra nga qarqet serbe, por jo vetëm të tyre, se ndarja e Kosovës është ide e ndërkombëtarëve. Në realitet besoj se mu e kundërta mund të jetë reale, pra ndërkombëtarët nuk e dëshirojnë shkëmbimin e territoreve të Kosovës. Jo në nivel të “përçaj dhe sundo” por deri diku mos përgjigja e zyrtarëve të Kosovës ta jep një bindje se mu ndërkombëtarëve i konvenon për shkak se ata në analizat e tyre afatgjata kanë parasysh një element shumë të rëndësishëm. Përkundër faktit se besimi amerikan dhe jo vetëm i tyre ndaj shqiptarëve, është shumë i lartë nuk do të thotë se interesat e tyre nuk do të ndryshojnë. Çka mendoj? Mendoj se po që se këto interesa, qoftë për, ta zëmë ndonjë gazsjellës, naftë apo diçka tjetër, do të kenë rëndësi më të madh se sa vetë Kosova (gjithsesi këtë ide nuk e besoj) atëherë minoritetet, në rastin e Kosovës entiteti më numër shumë të vogël, do të përdorej për qëllimet e ndërkombëtarëve.

Jo jo gjithsesi këtë shpalosje të fundit jam shumë i bindur se jo vetëm unë por të gjithë ata të cilët kanë logjik të shëndosh nuk e besojnë. Por për t’i eliminuar të gjitha keqkuptimet atëherë është e pashmangshme përgjigja përmbajtjesore e jo vetëm refuzimi pa përmbajtje.

Dhe krejt në fund, Kosova është juridikisht e pavarur, edhe pse jo e pranuar në OKB, por gjithsesi faktikisht nuk është e pavarur 100 %.