Beogradi çështjen e Kosovën synon ta bartë te Këshilli i Evropës
Sipas tij, kjo ka të bëjë me pjesën e planit që parasheh formimin e komunave të reja me shumicë serbe dhe formimin e zonave mbrojtëse rreth manastireve.
Këshilli i Evropës apo ndonjë organizatë ndërkombëtare, tha Ivanoviq, me qëndrimin neutral ndaj statusit të Kosovës, "një plan të tillë mund ta përqafojë si të vetin dhe ta përpunojë, plotësojë dhe t'ua ofrojë palëve të interesuara".
(Kjo do të thotë se Beogradi synon të hapë bisedime të reja për Kosovën, duke e "hedhur" Kosovën nga BE-ja në duart e Këshillit të Evropës, ku Rusia dhe satelitët e saj mund të bëjnë çfarë të duan. Në këtë kontekst edhe presidenti serb përmendi në Paris "statusin e ardhshëm të Kosovës"!)
"Nëse shqiptarët e Kosovës janë të sinqertë se dëshirojnë të mbështesin serbët dhe mbetjen e tyre në Kosovë, nëse janë të sinqertë për një Kosovë multietnike - në çka dyshoj - ata një propozim të tillë do ta përkrahnin", citon BBC të ketë thënë Ivanoviq në një tubim për Kosovën në Bruksel në organizim të fondacionit gjerman "Fridrih Ebert".
Por Ivanoviq tha se pjesa politike e Planit të Ahtisarit për pavarësinë e mbikqyrur edhe më tej mbetet plotësisht e papranueshme për Beogradin.
Diçka ndryshe mendon Rada Trajkoviq: "Nëse Beogradi edhe më tej mohon tërë Planin e Ahtisarit, kam frikë se kjo vetëm mund të shfajsojë shqiptarët neutralë për realizimin e këtij projekti", ka thënë Trajkoviq.
Ndërkaq publicisti Veton Surroi ka thënë se EULEX-i tashmë është në dijeni se nuk mund të veprojë si neutral karshi statusit të Kosovës sepse ky mision është koncipuar të veprojë për "bashkimin e vendit". /QiK/


