Begaj i kërkon Ekuadorit të shqyrtojë njohjen e Kosovës
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i ka kërkuar Ekuadorit që të konsiderojë mundësinë e njohjes së Republikës së Kosovës, gjatë takimit me ambasadorin e ri ekuadorian, Esteban Assar Moscoso Bohman.
Ambasadori i Ekuadorit, rezident në Romë, i ka paraqitur sot Letrat Kredenciale presidentit Begaj, në një ceremoni zyrtare në Presidencën e Shqipërisë.
Gjatë takimit, Begaj i uroi ambasadorit sukses në misionin e tij diplomatik dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Sipas Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), kreu i shtetit shqiptar vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të organizatave ndërkombëtare, ndërsa theksoi rëndësinë e mbështetjes së Ekuadorit për Kosovën.
Begaj kërkoi që Ekuadori të shqyrtojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë hap si një kontribut për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Ekuadori është një nga shtetet që ende nuk e ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës.
Shqipëria vazhdimisht ka lobuar me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, duke kërkuar mbështetje për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.


