BE kërkon më shumë Patriotë për Ukrainën, presion ndaj Spanjës dhe Greqisë
Bashkimi Evropian pritet të rrisë presionin ndaj vendeve anëtare që disponojnë rezerva të konsiderueshme të raketave interceptuese Patriot, në mënyrë që ato t’i transferojnë në Ukrainë, ndërsa Kievi përballet me një mungesë gjithnjë e më urgjente të sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Sipas zyrtarëve evropianë të cituar nga Euronews, Spanja dhe Greqia pritet të jenë në qendër të diskutimeve gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Irlandë, ku çështja e furnizimit të Ukrainës me interceptorë Patriot pritet të jetë një nga temat kryesore.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se dërgesat e interceptorëve Patriot kanë rënë në një kohë kur Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa ndaj territorit ukrainas. Sipas vlerësimeve të Kievit, Ukrainës i nevojiten rreth 300 interceptorë për të përballuar sulmet ajrore, veçanërisht përpara dimrit, transmeton Telegrafi.
Problemi është bërë edhe më i ndërlikuar pasi lufta me Iranin ka detyruar Shtetet e Bashkuara të përdorin një pjesë të konsiderueshme të rezervave të tyre të Patriotëve, duke zvogëluar mundësinë për të furnizuar aleatët, përfshirë Ukrainën.
Spanja ka deklaruar më herët se do të dërgonte pesë raketa Patriot në Ukrainë. Ndërkohë, Greqia ka qenë shumë më e rezervuar. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka thënë se Athina i ka rezistuar presionit për të transferuar ndonjë nga gjashtë bateritë Patriot që disponon, duke argumentuar se ato janë të domosdoshme për mbrojtjen e hapësirës ajrore greke, veçanërisht për shkak të tensioneve me Turqinë.
Një diplomat evropian tha se mungesa e interceptorëve Patriot për Ukrainën është shndërruar në një nga çështjet më të rëndësishme të sigurisë për Evropën këtë verë. Megjithatë, takimi i së martës është joformal dhe nuk pritet të prodhojë vendime të detyrueshme.
Për të kompensuar mungesën, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm po zhvillon gjithashtu kontakte me Japoninë dhe Korenë e Jugut, me synimin që edhe këto vende të ndajnë një pjesë të rezervave të tyre me Ukrainën.
Ndërkohë, Brukseli po shqyrton edhe mundësi të tjera. Sipas një zyrtari të Komisionit Evropian, Ukraina mund të përdorë paketën e ardhshme të financimit prej 90 miliardë eurosh për blerjen e sistemeve kundër raketave balistike, përfshirë Patriotët amerikanë ose sistemin evropian SAMP/T NG, të zhvilluar nga Franca dhe Italia.
BE-ja ka ndërmarrë tashmë hapa në këtë drejtim, duke miratuar një prokurim të mbrojtjes me vlerë 6.1 miliardë euro, që synon t’i sigurojë Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore dhe kundër raketave, raketa, municione dhe radarë.
Në sfondin e intensifikimit të sulmeve ruse, çështja e mbrojtjes ajrore po shndërrohet kështu në një nga sfidat më të mëdha strategjike të Ukrainës dhe aleatëve të saj evropianë. /Telegrafi/


