BDI: Bashkia e Shkupit ta largojë menjëherë tabelën e paligjshme dhe ta respektojë dygjuhësinë
Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje kryetarit të Bashkisë së Shkupit që ta largojë tabelën e mirëseardhjes dhe ta zëvendësojë atë me një tabelë që respekton plotësisht detyrimet ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe.
Nga BDI thonë se pavarësisht reagimeve të shumta të qytetarëve dhe opinionit publik, Bashkia e Shkupit vazhdon ta injorojë dygjuhësinë dhe karakterin multietnik të kryeqytetit.
"Përjashtimi i gjuhës shqipe nga një tabelë zyrtare nuk është vetëm shkelje ligjore, por akt që krijon ndjenjë përjashtimi dhe nxit tensione të panevojshme ndëretnike. BDI nuk do të lejojë që respektimi i gjuhës shqipe të varet nga vullneti politik i një individi. Për këtë arsye, do të fillojmë procedurë ligjore pranë institucioneve kompetente për konstatimin dhe sanksionimin e kësaj shkeljeje".
"Megjithatë, duke respektuar reagimin e qytetarëve dhe nevojën për ruajtjen e bashkëjetesës, edhe një herë i bëjmë thirrje kryetarit të Shkupit që të veprojë me përgjegjësi, ta respektojë ligjin dhe të mos prodhojë përçarje, urrejtje dhe tensione etnike në kryeqytet. Shkupi u përket të gjithë qytetarëve të tij. Gjuha shqipe nuk është privilegj dhe as dekor, por e drejtë e garantuar me ligj. Tabela e paligjshme duhet të largohet menjëherë", thonë nga BDI./Telegrafi/


