Please enter at least 3 characters.

Barcelona do të ndjekë nga afër talentin belg, e do transferimin e tij në verë

Barcelona po ndjek nga afër talentin belg të Ajax, Mika Godts dhe po shqyrton mundësinë e transferimit të tij gjatë afatit kalimtar veror.

Sipas raportimeve të Mundo Deportivo, një vëzhgues i klubit katalanas do të jetë i pranishëm në ndeshjen e fundjavës mes Ajax dhe PSV Eindhoven, për të analizuar nga afër performancën e sulmuesit 20-vjeçar.

Godts po kalon një sezon mbresëlënës dhe vlerësohet për shpejtësinë, driblimin dhe aftësinë për të depërtuar në zonë, cilësi që e bëjnë një opsion tërheqës për krahun e majtë të sulmit të Barcelonës.

Katalanasit po kërkojnë alternativa në këtë repart, sidomos duke pasur pasiguri rreth së ardhmes së Marcus Rashford, i cili ka qenë në radar, por mbetet një opsion i kushtueshëm për shkak të çmimit të kërkuar nga Manchester United.

Megjithatë, gara për shërbimet e belgut pritet të jetë e fortë. Në tribunat e stadiumit pritet të jenë edhe përfaqësues të Chelseat dhe Arsenalit, të cilët gjithashtu janë të interesuar për zhvillimin e tij.

Godts është produkt i akademisë së KRC Genk dhe iu bashkua Ajaxit në janar 2023. Pas një periudhe të shkurtër me ekipin U21, ai u promovua në skuadrën e parë, ku ka regjistruar mbi 100 paraqitje zyrtare, duke kontribuar me gola dhe asistime të rëndësishme. Kontrata e tij aktuale është e vlefshme deri në verën e vitit 2029.

Barcelona po e sheh atë si një investim për të ardhmen, por mbetet për t’u parë nëse do të arrijë të fitojë garën për një nga talentet më premtues të futbollit evropian.

20-vjeçari këtë edicion në 39 ndeshje ka shënuar 16 gola dhe ka asistuar në 13 të tjerë. /Telegrafi/