Avokati i ish-luftëtarit Bekim Meta: Paraqitëm argumentet kundër kërkesës për paraburgim, presim vendimin e gjykatës
Avokati i veteranit të luftës së UÇK-së, Bekim Metës, Luan Tasholli, është deklaruar lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj klientit të tij.
Tasholli bëri të ditur se mbrojtja ka paraqitur kundërshtimet dhe argumentet juridike ndaj kërkesës së prokurorisë, ndërsa tani pritet vendimi i gjykatës.
“Ne si mbrojtje kemi dhënë kundërshtimet dhe argumentet tona juridike lidhur me kërkesën e prokurorisë, kështu që tash e tutje gjykata do të tërhiqet për marrjen e vendimit lidhur me kërkesën e masës së paraburgimit, edhe shpresojmë edhe besojmë fuqishëm, që klienti jonë do të lirohet nga kjo, realisht klienti im thjesht do të mbrohet në liri, ose me fjalë të tjera gjykata nuk do të caktojë kërkesë për masën e paraburgimit si masë më e rëndë për sigurinë e të pandehurit në procedurë. Deri tani këto janë, tash e tutje presim vendimin e gjykatës në raport me kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Tasholli.
Gjykata pritet të dalë me një vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Bekim Metës në ora 18:15.
Tri ditë më parë në fshatin Magure të Lipjanit dyshohet që një grup personash të komunitetit rom, kanë sulmuar Skender Shahinin para shtëpisë së tij si dhe veteranin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta, i cili kishte ndërhyrë për të ndarë palët.
Në lidhje me këtë në Gjykatën Themelore në Lipjan po përballen veterani i luftës së UÇK-së, Bekim Meta dhe fqinji i tij, Skender Shahini.
Para gjykatës po protestojnë një grup i veteranëve dhe qytetarëve të Lipjanit në mbështetje të veteranit Bekim Meta, duke kërkuar nga organet e drejtësisë trajtim të drejtë të rastit. Ata vlerësojnë se Meta është i pafajshëm pasi ai vetëm ka ndërhyrë për të i ndarë palët. /kp/


