Athletic Bilbao përpiqet të ndalë përmes La Ligas transferimin e Nico Williams te Barcelona, Laporta kundërpërgjigjet
Athletic Bilbao është vendosur që të bëjë gjithçka për të ndaluar kalimin e Nico Williams te Barcelona dhe duket një 'luftë' në horizont mes dy klubeve.
Presidenti i klubit bask, Jon Uriarte, ndodhet në Madrid ku po zhvillon takime me përfaqësues të La Ligës dhe RFEF-së, në përpjekje për të bllokuar transferimin e mundshëm të yllit të tyre.
Sipas të përditshmes SPORT, Athletic Bilbao dyshon se Barcelona nuk po respekton rregullin financiar 1:1, që përcakton kufizimet për shpenzimet në përputhje me të ardhurat e klubit.
Një burim i brendshëm i klubit bask ka thënë: “Athletic do të përpiqet deri në ditën e fundit ta mbajë Nico Williams”.
Për këtë arsye, përfaqësues të Athletic Bilbaos janë në Madrid për të bërë presion që La Liga dhe RFEF të monitorojnë me kujdes të gjitha lëvizjet e afatit kalimtar të Barcelonës këtë verë. Qëllimi është i qartë: të ndalet Barça nga pagimi i klauzolës së lirimit për Williamsin.
Por nga ana tjetër, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është përgjigjur me ironi dhe vendosmëri ndaj kësaj ndërhyrjeje.
“Nuk e kuptoj pse Athletic Bilbao dëshiron të flasë për Barçën me La Ligën. Nuk mendoj se është e përshtatshme, por ky është problemi i tyre”, deklaroi i pari i Barcelonës.
Pavarësisht akuzave për paaftësi financiare, Barcelona ka deklaruar se është në përputhje të plotë me rregullat e Fair Play Financiar, dhe se nuk ka asnjë pengesë për të nënshkruar e regjistruar lojtarë gjatë këtij afati kalimtar. /Telegrafi/


