Asociacioni i Komunave të Kosovës diskuton obligimet ligjore të komunave për mbrojtjen e të dhënave personale
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) në bashkëpunim me OSBE-në ka organizuar një takim pune me Kolegjiumin e Zyrtarëve Ligjorë të Komunave, me fokus në diskutimin e obligimeve ligjore që kanë komunat në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe çështjeve të tjera të rëndësishme për funksionimin e tyre institucional.
Në këtë takim u trajtua Projekt-Rregullorja për Përcaktimin e Procedurave për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave, ku pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e saj për harmonizimin e procedurave ligjore në nivel lokal, si dhe për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies, përcjell Telegrafi.
Dokumenti ka kaluar të gjitha fazat e hartimit dhe pritet vetëm miratimi i tij përfundimtar.
Gjithashtu, u diskutua edhe hartimi i një Projekt-Rregulloreje të brendshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila do të përcaktojë qartë procedurat institucionale për privatësinë dhe sigurinë e të dhënave në nivel komunal.
Ky takim u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të praktikave ligjore në administratën lokale dhe rritjes së kapaciteteve të zyrtarëve ligjorë komunalë, për përmbushjen efektive të përgjegjësive të tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Telegrafi/


