Please enter at least 3 characters.

Asgjë hiç nuk paskemi bërë!

Pas gafës së bërë nga Maqedonia për mosftuarjen e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut, në inaugurimin e Presidentit të ri të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, vazhdojnë reagimet dhe komentet nga qarqe të ndryshme.

Derisa të gjithë ne, këtë veprim të Shkupit zyrtar, e pranuam me shumë emocione, Presidenti Sejdiu me nonshalancë tipike kosovare e relativizoi mosftuarjen e tij në evenimentin që organizohej në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë. Por, në fakt, pas reagimit të përmbajtur të tij, fshihet diçka tjetër, që njëmend duhet vlerësuar lartë: KAPACITETI i Kosovës dhe i krerëve të saj për të ruajtur dhe krijuar stabilitetin e rajonit të Ballkanit.

I vetëdijshëm për faktin se Maqedonia hyri në fazë të re të përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, ai nuk dramatizoi mospjesëmarrjen e tij në inaugurim, ngaqë kjo, normalisht se do të shkaktonte hidhërim në marrëdhëniet e brishta në mes fqinjëve të Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë. Dhe është e vërtetë se Kosovës i duhen fqinjë të pajtuar, e sidomos më tepër i duhet që ajo të zhdukë percepcionin se është mollë sherri për të cilën shkaktohen përçarje në Ballkan.

Sejdiut madje edhe nuk do t’i konvenonte ftesa për pjesëmarrje (kjo gjë vërehej edhe nga toni me të cilin komentonte para mediumeve), pasi në rast të këtillë, atij do t’i shkaktoheshin dilema të mëdha: të pranojë ftesën dhe të shkaktojë tollovi nga ndonjë sjellje e shkujdesur e zyrtarëve të Serbisë dhe kështu të pikëtohej si fajtori kryesor për ngatërrimin e punëve dhe krijimin e problemeve në rajon, ose të mos pranojë ftesën dhe kështu të mos demonstrojë vullnet për bashkëpunim ndërfqinjësor, i cili në të ardhmen duhet të kurorëzohet me vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

Mendoj se Sejdiu me zgjuarsi pranoi që realiteti i ri politik në Ballkan të imponohet përmes mesazheve të dhëna nga një anëtar i NATO-së, Shqipërisë, përmes Presidentit të saj Bamir Topi, dhe jo përmes pjesëmarrjes së tij fizike.

Në këtë mënyrë, këta dy liderë shqiptarë, në mënyrë sinkronike ose të rastësishme, paralajmëruan se Maqedonia, si nyje ku ngatërrohen interesa të ndryshme, do të jetë terreni kryesor përmes të cilit Kosova do të etablohet në rendin e ri politik në Ballkan: me veprim të caktuar ose me mosveprim të caktuar në raportet me Maqedoninë, të dërgohen sinjale dhe mesazhe të fuqishme për rajonin dhe më gjerë – mentalitet ky kryekëput amerikan i veprimit politik, dhe kjo duhet vlerësuar lartë dhe jo nënvlerësuar sikurse nga disa qarqe dhe analistë të Kosovës.

Veprimi i Maqedonisë, në vete është i gabuar, por ky u shfrytëzua në mënyrë të mençur nga të dy shtetet shqiptare për të dëshmuar kapacitet stabiliteti dhe internacionalizëm, në kushte të prezencës së nacionalizmave të shumta maqedonase, serbe, greke…


Nga ana tjetër, për pjesëmarrjen e partive politike shqiptare në inaugurim, gjykoj se kritikat duhet të bëhen jo për shkak të Sejdiut, por për shkak të politikës së Ivanovit kundrejt shqiptarëve, të cilën, fatkeqësisht, përveç se ta komentojmë nuk kemi të drejtë të kërkojmë ta ndryshojë (me bojkotimin e zgjedhjes së tij, partitë shqiptare u privuan nga e drejta e kërkesës për llogaridhënie nga i njëjti).

Përderisa Demokracia e Re, pjesëmarrjen e saj e arsyetoi me evitimin e rrezikut për zhvillimin e proceseve (besoj se e kanë pasur fjalën për liberalizimin e vizave, që është në finalizim e sipër dhe shumë i dëshirueshëm nga qytetarët, sipas sondazheve të bëra), parashtrohet pyetja se ç’kërkoi BDI të jetë prezente (si përfaqësuesja e vetme e shqiptarëve, ashtu sikurse vetëquhet, e që na mori në qafë me trumbetimet e këtilla, se në këtë mënyrë po legjitimohen shumë veprime në dëm të shqiptarëve, për të cilat Gruevski lehtë po shfajësohet)?

Kjo gjë, a ndodhi për shkak të vasalitetit ndaj VMRO-së ose për shkak se dëshiruan të legjitimojnë Ivanovin post-festum dhe të nxirrnin ndonjë dobi ose shërbim nga VMRO-ja për të kthyer rejtingut e tyre?

BDI, nëse veçmë mori përsipër detyrën e rëndë dhe me plotë vetësakrificë hyri në pazarin me VMRO-në për zgjedhjen e Ivanovit, ose duhej t’ia jepte 100 mijë votat e saj dhe në të ardhmen të ketë hise në fitoren e tij që do ta shfrytëzonte për të sendërtuar ndonjë interes shqiptar, ose të mos i japë asnjë votë dhe zgjedhjet të dështonin.

Në këtë mënyrë, me atë numër të vogël të votave, BDI i dha Ivanovit mandat, që ky i fundit do ta shfrytëzojë si mundësi për bërje të politikës shpërfillëse ndaj shqiptarëve, por edhe një argument numerik me të cilin ai e ka lehtë ta arsyetojë këtë politikë (numri i jomjaftueshëm i votave shqiptare, që sipas mentalitetit maqedonas, nuk meriton të efektohet me ndonjë politikë tjetër, nga kjo që tani udhëhiqet).

Dhe kur shohim se Ivanov, pranohet me të gjitha nderimet protokollare nga Sollana, Oli Ren dhe Shefer, atëherë vijmë në pyetjen dhe konstatimin dëshpërues: ç’farë paskemi bërë ne që nuk ia kemi dhënë legjitimitetin e plotë Ivanovit, përveç atij që ia dha BDI me pak vota, dhe a ndikoi kjo tek faktori ndërkombëtar? – Asgjë hiç nuk paskemi bërë dhe jo, asgjë nuk paska ndikuar.