Arteta ndez finalen ndaj PSG-së: Jemi këtu me meritë, tani ta marrim trofeun
Mikel Arteta thotë se Arsenali e ka fituar me meritë vendin në skenën më të madhe të futbollit europian, por tani duhet ta shfrytëzojë momentin dhe të bëjë histori. Në konferencën për media para finales së Ligës së Kampionëve ndaj PSG-së, trajneri i Arsenalit theksoi urinë e lojtarëve të tij për më shumë suksese.
Tekniku i londinezëve beson se përgatitjet kanë shkuar mirë dhe se ekipi është në gjendje të mirë psikologjike para duelit vendimtar.
“Jemi të fokusuar, pozitivë. Jemi këtu sepse kemi të drejtë të jemi këtu. Nesër në fushë do të duhet ta fitojmë të drejtën për ta ngritur trofeun”, ka thënë ai.
Arsenali pritet të jetë pothuajse i plotë. Arteta konfirmoi se Jurrien Timber dhe Noni Madueke janë të gatshëm për të luajtur, ndërsa e vetmja mungesë për finalen është Ben White.
Pasi e udhëhoqi Arsenalin drejt titullit të parë kampion në 22 vjet, Arteta tani ka mundësinë ta çojë klubin drejt triumfit të parë në Ligën e Kampionëve, 20 vjet pas tentimit të fundit.
“Kemi mundësinë të shkruajmë një kapitull të ri, duhet të luajmë me shumë qartësi dhe dëshirë për të fituar. Fitimi i Ligës së Kampionëve do të ishte diçka e re për të gjithë ne. Është e vështirë të shkruash histori të re te Arsenali, dhe kjo është ajo që synojmë”, u shpreh Arteta.
“Kemi fituar një titull, por duam të fitojmë më shumë. Gjithmonë duhet të ketë një platformë për të fituar më shumë. Dua që lojtarët të jenë të bindur se mund të shkojmë dhe ta bëjmë”, shtoi ai.
“Ata duan më shumë. Pasi e ngre trofeun, dëshiron ta përsëritësh atë ndjenjë sa më shumë herë të jetë e mundur".
“PSG dhe ne kemi evoluar në mënyra të ndryshme. Morëm disa mësime dhe duhet t’i aplikojmë nesër”, përfundoi spanjolli./Telegrafi/


