Arrestohet një komisioner zgjedhor në Prizren për dyshime për manipulim votash, flet avokati
Një komisioner është arrestuar sot në aksionin e Policisë dhe Prokurorisë Themelore në Prizren nën dyshimin për manipulim me vota të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.
Komisioneri i arrestuar është i partisë së udhëhequr nga Emilja Rexhepi, Nova Demokratska Stranka (NDS).
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar avokati mbrojtës i të arrestuarit, Blend Gjini, i cili ka deklaruar se arrestimi i klientit të tij është bërë pa bazë ligjore dhe pa prova konkrete.
“Sot është arrestuar komisioneri i partisë NDS të Emilja Rexhepit, me pretendimin për veprën penale të manipulimit të provave. Si avokat mbrojtës, kam shfrytëzuar të drejtën që klienti im të mbrohet në heshtje. Ajo që është e çuditshme është fakti se nuk ekziston asnjë provë që partia e Emilja Rexhepit të ketë pasur rritje apo ulje të votave”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka kërkuar gjithashtu reagimin e kryetares së NDS-së, Emilja Rexhepi, duke apeluar që ajo të dalë në mbrojtje të komisionerëve të partisë së saj.
“Pres që vetë ministrja Rexhepi të reagojë dhe t’i mbrojë njerëzit e saj që kanë punuar për partinë. Vepra penale me të cilën ngarkohet komisioneri nuk ka të bëjë me manipulimin që pretendon prokuroria", shtoi ai.
Avokati Gjini e ka cilësuar si të pazakontë edhe kërkesën e Policisë për Krime Ekonomike në Prishtinë për dorëzimin e menjëhershëm të telefonit të komisionerit.
“Kërkesa për dorëzimin e telefonit ka qenë e çuditshme. Megjithatë, në shenjë bashkëpunimi, telefoni u dorëzua menjëherë... Konsideroj se klientit tim i është bërë një padrejtësi”, ka përfunduar Gjini.
Ndërkohë, autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me rastin, ndërsa hetimet janë në vazhdim. /Telegrafi/


