Please enter at least 3 characters.

Arrestohen katër persona në Pejë – kërkuan 30 mijë euro për pronën e viktimës

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të suksesshëm në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, duke arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale “detyrim”.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është zhvilluar nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në bashkëpunim me hetimet rajonale në Pejë dhe njësi të tjera relevante, nën koordinimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.

Hetimet kanë zbuluar se të dyshuarit, përmes formave të ndryshme të kanosjes, i kanë pamundësuar viktimës posedimin dhe shfrytëzimin e pronës së tij, të blerë në mënyrë të ligjshme. Madje, për ta lejuar të njëjtin të përdorë pronën, viktima ishte detyruar të paguajë një shumë prej 30.000 eurosh.

Të katër personat janë arrestuar në flagrancë dhe pas intervistimit nga organet kompetente, me vendim të prokurorit të rastit, janë ndaluar për 48 orë.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve të rënda dhe sjelljen e personave të dyshuar para drejtësisë, duke garantuar siguri dhe mbrojtje për qytetarët.