Please enter at least 3 characters.

Arrestimi i dy drejtorëve të shkollave të sistemit paralel serb, Rahimaj jep detaje

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka njoftuar se është përmbyllur me sukses një aksion i institucioneve të rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, i cili ka rezultuar me arrestimin e dy personave në këtë komunë.

Në një reagim publik, Rahimaj ka falënderuar institucionet e sigurisë për veprimet e ndërmarra, duke theksuar se aksioni ka ardhur pas një periudhe të gjatë hetimesh dhe punë intensive.

“Faleminderit institucioneve të rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës! Pas një pune intensive, është përmbyllur me sukses një aksion i ndërmarrë nga institucionet tona ndaj individëve të caktuar, të cilët për një periudhë të gjatë kanë vështirësuar punën e institucioneve tona lokale dhe kanë shqetësuar komunitetin”, ka shkruar Rahimaj.

Sipas tij, në kuadër të këtij aksioni janë bastisur disa shtëpi dhe lokale, ndërsa janë arrestuar dy persona, N.V. dhe D.K., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale.

“Në një nga aksionet më të rëndësishme të viteve të fundit në Kamenicë, janë bastisur shtëpitë e lokale dhe më pas janë arrestuar drejtorët e shkollave të sistemit paralel serb, N.V. dhe D.K., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale”, thuhet në njoftim.

Rahimaj ka theksuar se Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar ndaj trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve dhe bashkëpunimit me institucionet e sigurisë.

“Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar të trajtojë secilin qytetar pa asnjë dallim, siç mbetet e përkushtuar të kontribuojë në sigurinë e përgjithshme, në koordinim të plotë me institucionet e thirrura për këtë”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/